Kritika e Papa Leonit: Lufta është kthyer në modë, kufijtë po shkelen me forcë

Sipas mesazhit të qartë të Atit të Shenjtë “pa dialog, respekt të ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtje të jetës njerëzore, paqja mbetet një iluzion”.

09.01.2026. 18:25

Kritika e Papa Leonit: Lufta është kthyer në modë, kufijtë po shkelen me forcë

Lufta, multilateralizmi i dobësuar dhe shkelja e së drejtës ndërkombëtare humanitare ishin në qendër të fjalimit që Papa Leoni XIV mbajti para ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Në një mesazh të fortë dhe kritik ndaj realitetit aktual ndërkombëtar, Papa paralajmëroi për rikthimin e dhunës në mjet politik.

“Në kohën tonë shqetëson veçanërisht, në planin ndërkombëtar, dobësia e multilateralizmit. Një diplomaci që promovon dialogun dhe kërkon konsensusin, po zëvendësohet nga diplomacia e forcës, e individëve apo e grupeve aleate. Lufta është kthyer në modë dhe po përhapet një ethe luftarake”, tha Papa Leoni XIV.

Sipas tij, është shkelur parimi themelor i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, që ndalon përdorimin e forcës për të shkelur kufijtë e vendeve të tjera. “Paqja nuk kërkohet më si dhuratë dhe si e mirë në vetvete, por përmes armëve, si kusht për vendosjen e një dominimi. Kjo dëmton rëndë shtetin e së drejtës, që është baza e çdo bashkëjetese paqësore”, theksoi ai.

Papa nënvizoi rëndësinë thelbësore të së drejtës humanitare ndërkombëtare, duke theksuar se respektimi i saj nuk mund të varet nga rrethanat apo interesat ushtarake dhe strategjike. Ai dënoi ashpër shkatërrimin e spitaleve, infrastrukturës energjetike, banesave dhe objekteve thelbësore për jetën e përditshme, duke i cilësuar si shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Mesazhi i Papës ishte i qartë: pa dialog, respekt të ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtje të jetës njerëzore, paqja mbetet një iluzion.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)