Në ndërtim prej 144 vitesh, vendoset kryqi prej qelqi që plotëson katedralen ‘Sagrada Familia’

Me 172.5 metra, Sagrada Familia, së cilës arkitekti katalanas Antoni Gaudí i kushtoi pjesën e fundit të jetës së tij, është ndërtesa më e lartë e Barcelonës dhe kisha më e lartë në botë.

Burimi: The Guardian

21.02.2026. 09:24

Në ndërtim prej 144 vitesh, vendoset kryqi prej qelqi që plotëson katedralen ‘Sagrada Familia’

Kryqi prej qelqi, copëza e fundit që u vendos ditën e djeshme në kullën qëndrore të katedrales ‘Sagrada Familia’ në Barcelonë, e plotëson ndërtimin e kishës ikonike të Antoni Gaudi-t, 144 vite pas nisjes së punimeve, duke prekur lartësinë maksimale përfundimtare prej 172.5 metër.

Pas disa ditësh kur ishte shumë erë dhe e bënte të pamundur për të punuar, pjesa e sipërme e kryqit prej çeliku dhe qelqi, 17 metër i lartë, u vendos në pozicion në orën 11 të paradites së të premtes, duke përfunduar kullën kushtuar Jezu Krishtit.

Me 172.5 metra, Sagrada Familia, së cilës arkitekti katalanas Antoni Gaudí i kushtoi pjesën e fundit të jetës së tij, është ndërtesa më e lartë e Barcelonës dhe kisha më e lartë në botë.

Ndërsa flamujt katalanas dhe të Vatikanit u ngritën, Jordi Faulí, arkitekti kryesor i projektit, tha se kjo “është një ditë e gëzueshme dhe e mrekullueshme për të gjithë njerëzit që e kanë bërë të mundur”.

Një ceremoni për të shënuar përfundimin e kullës do të zhvillohet në 100-vjetorin e vdekjes së Gaudit në vitin 1926, më 10 qershor, 16 vjet pasi kisha u shenjtërua nga Papa Benedikti XVI.

Megjithatë, ishte një ditë plot emocione për një qytet që ka jetuar me punën e papërfunduar të Gaudit për breza dhe, megjithëse ka ende shumë punë për të bërë, tempulli tani përcakton horizontin e Barcelonës aq sa kulla Eiffel në Paris ose ndërtesa Empire State në Nju Jork.

Për dekada të tëra, Sagrada Familia ishte një kantier ndërtimi i hapur drejt qiellit, ku breza të tërë gurëgdhendësish dhe zdrukthëtarësh punuan rreth turistëve që në fund të fundit kanë financuar ndërtimin. Vetëm në 15 vitet e fundit, që kur filloi puna në brendësinë mahnitëse, është ndjerë më shumë si një kishë sesa si një kantier ndërtimi.

Këtu, dizajnet gjeometrike të Gaudit kanë krijuar një oaz drite, me kolona delikate, si pemë, që zbresin drejt çatisë, guri i bardhë i brendshëm që i nxjerrë në pah ngjyrat nga dritaret me xham të pikturuar.

Bazilika është e dashur dhe e urryer në mënyrë të barabartë nga ata që jetojnë në Barcelonë. George Orëell e përshkroi atë si "një nga ndërtesat më të shëmtuara në botë" dhe u pendua që anarkistët nuk e hodhën në erë kur patën mundësinë.

Megjithatë, anarkistët shkatërruan vizatimet e Gaudit dhe modelin prej gipsi, i cili vite më vonë u rindërtua me shumë kujdes. Në fund të viteve 1970, Mark Burry, një arkitekt nga Zelanda e Re, përshtati programin e dizajnit për të realizuar dizajnin final të Gaudit.

Për ata që pretendojnë se bazilika nuk është aspak si ajo që ishte parashikuar fillimisht, përgjigja e Burry-t ishte se gjeometria e Gaudit është aq e saktë sa nëse do të kishte ndonjë devijim nga plani i tij, ndërtesa do të shembej.

Megjithatë, tani është vepër e shumë duarve. Ka elementë që bien ndesh, në veçanti fasada e Pasionit, e njohur gjerësisht si fasada e Darth Vader, vepër e skulptorit Josep Maria Subirachs, megjithatë në përgjithësi është padyshim vepër e Gaudí-t.

Përveç përfundimit të detajeve të kullës kryesore, tre artistë - Miquel Barceló, Cristina Iglesias dhe Javier Marín - janë ngarkuar të paraqesin dizajne për fasadën e Lavdisë, e cila pritet të zgjasë edhe 10 vjet të tjera për t'u përfunduar.

Sagrada Familia është atraksioni kryesor turistik i qytetit, me rreth 5 milionë vizitorë në vit dhe një të ardhur vjetore prej afërsisht 150 milionë eurosh, rreth gjysma e të cilave deri më tani është shpenzuar për ndërtim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)