E mbetur në mes të detit, Spanja do të presë anijen ku pati 3 viktima nga virusi

Hantavirusi, sipas ekspertëve të Organizatë Botërore te Shëndetësisë, transmetohet kryesisht përmes kontaktit me jashtëqitjet, urinën ose pështymën e brejtësve të infektuar.

Burimi: Tgcom

05.05.2026. 20:31

E mbetur në mes të detit, Spanja do të presë anijen ku pati 3 viktima nga virusi

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se Spanja do të pranojë në ishujt Kanarie anijen kroçerë MV Hondius, ku dyshohet për një shpërthim të mundshëm të hantavirusit që ka shkaktuar 3 viktima dhe disa të infektuar.

Në anije ndodhen 149 pasagjerë nga 23 vende të ndryshme.

Zyrtarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Maria Van Kerkhove, deklaroi se po bashkëpunohet me autoritetet spanjolle për të realizuar një hetim të plotë epidemiologjik, dezinfektimin e anijes dhe vlerësimin e rrezikut për personat në bord.

Sipas saj, në anije janë vendosur masa të rrepta izolimi dhe kontrolli, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Ndërkohë, drejtori rajonal i OBSH, Hans Kluge, ka theksuar se rreziku për popullatën e gjerë mbetet i ulët dhe nuk ka arsye për panik apo kufizime udhëtimi. Ai shtoi se infeksionet nga hantavirusi janë të rralla dhe zakonisht lidhen me kontaktin me brejtës të infektuar.

Sipas hetimeve paraprake, rasti i parë dyshohet të jetë një turist holandez 70-vjeçar, i cili ka vdekur në bord më 11 prill. Pak javë më vonë, ka ndërruar jetë edhe bashkëshortja e tij, pasi ishte sëmurë gjatë udhëtimit. Më pas është raportuar edhe një tjetër viktimë, një shtetas gjerman, si dhe disa raste të tjera të dyshuara mes pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Operatori i anijes ka bërë të ditur se disa anëtarë të ekuipazhit kanë shfaqur simptoma respiratore dhe po mbahen nën mbikëqyrje mjekësore.

Autoritetet shëndetësore po hetojnë mundësinë që infektimet të kenë ndodhur para hipjes në anije, duke mos përjashtuar edhe transmetim të kufizuar mes kontakteve të ngushta.

Hantavirusi, sipas ekspertëve të OBSH, transmetohet kryesisht përmes kontaktit me jashtëqitjet, urinën ose pështymën e brejtësve të infektuar dhe në raste të rralla mund të kalojë edhe nga njeriu te njeriu.

Autoritetet spanjolle pritet të vijojnë me inspektimin e plotë të MV Hondius, ndërsa pasagjerët mbeten nën masa të rrepta izolimi deri në përfundimin e hetimeve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)