16,500 viktima në Iran, Trump: Koha për lidership të ri

“Sunday Times” publikoi të dhënat, bazuar në një raport kofidencial rreth situatës në vend, mendohet se 330 mijë persona janë plagosur.

18.01.2026. 13:21

16,500  viktima në Iran, Trump: Koha për lidership të ri

Të paktën 16,500 persona janë vrarë dhe rreth 330 mijë të tjerë janë plagosur gjatë tentativave të Shtetit Islamik për të shtypur në mënyrë brutale protestat në Iran. Shifra doli pas një raporti të siguruar nga “Sunday Times”. Të dhënat e tij bazohen në dëshmi të drejtpërdrejta dhe burime mjekësore, të cilat theksojnë se shumica e vrasjeve kanë ndodhur brenda dy ditëve.

Në raport theksohej se pjesa më e madhe e viktimave besohet të jenë nën moshën 30 vjeç. Një nga mjekët e cituar në raport e përshkruan situatën si “një gjenocid i mbuluar nga errësira digjitale”. Ai iu referua bllokimit total të internetit dhe komunikimeve, duke bërë që për ditë me radhë dhjetëra mijëra familje iraniane të mos kishin asnjë informacion nëse të afërmit e tyre ishin gjallë apo të vdekur.

Një version tjetër jepet nga autoritetet iraniane. Një zyrtar i lartë, që foli në kushte anonimiteti për “Reuters”, deklaroi se autoritetet kanë konfirmuar të paktën 5,000 të vrarë, duke përfshirë edhe afro 500 anëtarë të forcave të sigurisë. Sipas të njëjtit burim, përplasjet më të rënda dhe numri më i madh i viktimave janë regjistruar në zonat kurde në veriperëndim të Iranit, ku tensionet historikisht kanë qenë më të forta.

Ai shtoi se “bilanci përfundimtar nuk pritet që të rritet ndjeshëm”. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për fundin e sundimit 37-vjeçar të udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. “Ka ardhur koha për një lidership të ri në Iran”, deklaroi Trump për “Politico”, në një moment kur protestat masive kundër regjimit duket se janë zbehur.

Gjatë tre javëve të fundit, vrasja e mijëra protestuesve e shtyu presidentin amerikan të kërcënojë disa herë me ndërhyrje ushtarake. Ai u ka bërë thirrje iranianëve të vazhdonin protestat dhe “të merrnin nën kontroll institucionet”, duke konfirmuar se “ndihma po vjen”. Qëndrimi ndryshoi pak orë më vonë, pasi  Trump e cilësoi zgjedhjen e regjimit për të mos kryer varjen e më tepër se 800 personave si “vendimin më të mirë që kishte marrë ndonjëherë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)