Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi se Irani po e përdor Ngushticën e Hormuzit si një mjet presioni në konfliktin aktual në rajon. Nga Shtëpia e Bardhë, ai theksoi se aleatët që varen ekonomikisht nga kjo rrugë strategjike detare duhet të kontribuojnë më shumë për sigurinë e saj.
“Po inkurajojmë vendet, ekonomitë e të cilave varen nga Ngushtica e Hormuzit të na ndihmojnë. Disa vende nuk janë shumë entuziaste për të na ndihmuar dhe niveli i entuziazmit për mua është i rëndësishëm. Për 40 vjet ju kemi mbrojtur dhe tani nuk doni të përfshiheni në diçka më të vogël?”, u shpreh Trump, duke përmendur vende si Japonia, Kina, Koreja e Jugut dhe shtetet europiane.
Trump paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin për të goditur rëndë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse situata përshkallëzohet. “Mjafton një fjalë dhe mund të shkatërroj edhe impiantet e naftës së Iranit. Nuk dua ta bëj këtë sepse mendojmë për rindërtimin e ardhshëm të atij vendi, por gjërat mund të ndryshojnë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan shtoi se operacionet ushtarake kundër Iranit kanë reduktuar ndjeshëm sulmet e Teheranit. Sipas tij, që nga fillimi i konfliktit, SHBA dhe Izraeli kanë goditur rreth 7 mijë objektiva dhe kanë ulur me 90 për qind lëshimet e raketave dhe me 95 për qind sulmet me dronë. Ai deklaroi gjithashtu se kërcënimet iraniane janë “praktikisht zhdukur” pas operacioneve të fundit ushtarake dhe se lufta do të përfundojë së shpejti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)