Një valë sulmesh me raketa ka përfshirë disa vende të Gjirit Persik, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon dhe duke vënë në rrezik infrastrukturën energjetike.
QatarEnergy njoftoi se një nga objektet më të rëndësishme të përpunimit të naftës në vend, në zonën Ras Laffan, është goditur nga raketa, duke shkaktuar dëme të mëdha. Sipas kompanisë, ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa konfirmohet se nuk ka viktima dhe i gjithë personeli është i sigurt.
Autoritetet e Katarit bëjnë të ditur se shërbimet e mbrojtjes civile po punojnë për shuarjen e zjarrit në këtë zonë strategjike, e cila më herët ishte përmendur nga Irani si një objektiv i mundshëm.
Ndërkohë, në Arabinë Saudite, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se ka neutralizuar katër raketa balistike të lëshuara drejt kryeqytetit Riad. Sipas autoriteteve saudite, nuk ka dëme apo të lënduar, megjithëse mbetjet e raketave janë shpërndarë në disa zona të qytetit.
Në të njëjtën kohë, në Iran janë raportuar sulme ndaj objekteve të lidhura me fushën e gazit South Pars, më e madhja në botë. Pamjet e verifikuara tregojnë re të dendura tymi që ngrihen nga zona, ndërsa autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se po punohet për shuarjen e zjarreve.
Sipas burimeve të sigurisë, disa vende të Gjirit janë vënë në gatishmëri të lartë nga frika e sulmeve të tjera të mundshme iraniane ndaj objekteve energjetike në rajon, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, dënoi sulmet ndaj objekteve ekonomike, duke i cilësuar si “të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)