Pas tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, rriten shqetësimet globale për sigurinë e rrugëve detare. Analistët paralajmërojnë se Teherani mund të shtojë presionin mbi ekonominë botërore, duke koordinuar veprime me rebelët Huthë në Jemen, për të tentuar mbylljen e Ngushticës së Bab el-Mandeb. Kjo është një nyjë kyçe e tregtisë detare që lidh Detin e Kuq me Oqeanin Indian. Ky kalim strategjik përfaqëson rreth 12% të trafikut detar botëror të mallrave.
Ngushtica e Bab el-Mandeb, e njohur si “Porta e Lotëve”, ka një rëndësi të madhe historike dhe strategjike. Ai ka shërbyer si urë lidhëse mes Afrikës dhe Gadishullit Arabik dhe ka qenë pjesë e rrugëve të vjetra tregtare që lidhnin Azinë, Afrikën dhe Europë. Gjerësia minimale e ngushticës është rreth 26 kilometra dhe është rreth 50 kilometra i gjatë. Kjo e bën çdo ndërhyrje të mundshme, një sfidë serioze për lëvizjen e anijeve.
Ekspertët paralajmërojnë se një bllokim i kësaj rruge do të detyronte anijet të kalojnë nga skaji jugor i Afrikës, duke shtuar mijëra kilometra në itinerar dhe duke shkaktuar vonesa dhe rritje të kostove për mallrat dhe karburantet. Ngushtica është gjithashtu porta jugore e Kanalit të Suezit, duke e bërë çdo ndërprerje të tij një kërcënim të drejtpërdrejtë për tregtinë globale.
Situata bëhet akoma më shqetësuese pas mbylljes së efektshme të Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalonte 20% e eksporteve botërore të naftës. Një bllokim i Ngushticës së Bab el-Mandeb mund të shkaktojë një nga krizat më të mëdha të furnizimit energjetik të dekadave të fundit, me ndikim të drejtpërdrejtë te çmimet e karburanteve dhe stabiliteti i tregjeve globale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)