Marrëveshja për armkëpushimin dy javor që SHBA-të dhe Irani arritën në orët e para pas mesnatës nën koordinimin e Pakistanit duket në rrezik, pasi Teherani ka paralajmëruar se do të tërhiqen nga zbatimi nëse sulmet izraelite ndaj Libanit vazhdojnë.
Një burim i paidentifikuar në Teheran tha për agjencinë e lajmeve Tansim se forcat e armatosura iraniane po identifikonin objektiva për t'iu përgjigjur sulmeve të sotme izraelite ndaj Libanit.
Iranianët pretendojnë se përfundimi i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, është pjesë e armëpushimit që Teherani ka rënë dakord me Uashingtonin sipas burimit të Tansim.
Por nuk e pohon këtë Donald Trump, i cili tha për PBS News se Izraeli dhe Libani nuk ishin të përfshirë në marrëveshjen me Iranin. "Izraeli dhe Libani nuk u përfshinë në marrëveshje për shkak të Hezbollahut. Kjo do të trajtohet. Nuk është problem”, u shpreh Presidenti amerikan teksa komentoi sulmet e fundit të Izraelit ndaj Libanit, duke shtuar se “janë një konflikt i veçantë”.
Izraeli ka goditur ndërkohë mbi 100 objektiva të Hezbollahut në Liban në 10 minuta, teksa ka raportime për 80 të vdekur dhe 200 të plagosur në të gjithë vendin vetëm ditën e sotme.
Sakaq, Garda Revolucionare ka njoftuar pasditen e sotme se ka rrëzuar një dron të prodhuar në Izrael në Iranin jugor, duke paralajmëruar për një "shkelje të armëpushimit" që sapo ka hyrë në fuqi.
“Pak minuta më parë, një dron Hermes 900 u kap dhe u shkatërrua në qiellin e qytetit Lar, në provincën Fars", thuhet në një njoftim për shtyp të publikuar nga agjencia e lajmeve Fars dhe televizioni shtetëror iranian.
Garda shtoi se "çdo ndërhyrje e një avioni armik amerikan ose sionist në hapësirën ajrore kombëtare, edhe pa një operacion ushtarak, konsiderohet shkelje e armëpushimit dhe do të çojë në një përgjigje të fortë".
Sakaq Wall Street Journal raporton se Irani nuk do të shkojë në bisedime nëse nuk ka armëpushim në Liban.
“Irani u ka thënë ndërmjetësve se nuk do të marrë pjesë në bisedimet në Pakistan të premten nëse nuk ka një armëpushim në Liban”, raportoi gazeta amerikane.
Agjencia e lajmeve Fars e Iranit raportoi po ashtu se çisternat kishin ndaluar kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit pasi Izraeli sipas Gardës Revolucionare “ka shkelur armëpushimin".
Ndërmjetësimi i transportit detar SSY konfirmoi për BBC se anijet në Gjirin Persik kishin marrë një mesazh nga autoritetet iraniane.
"Vëmendje, të gjitha anijet në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Ky është Stacioni Detar i Gardës Revolucionare. Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur dhe kërkohet leja nga Garda para kalimit tranzit. Çdo anije që përpiqet të hyjë në det do të shënjestrohet dhe do të shkatërrohet", thuhej në mesazhin që u transmetua në një frekuencë për njoftime ndërkombëtare.
Një tjetër media iraniane, Press TV, duke cituar burime të paidentifikuara, tha se Teherani do ta "ndëshkonte" Izraelin për sulmet e tij ndaj Hezbollahut në Liban, "në shkelje të armëpushimit".
“Irani është duke punuar për përgjigjen e tij për të kryer operacione parandaluese kundër pozicioneve ushtarake izraelite në territoret e pushtuara”, u citua burimi të ketë thënë.
Burimi tha se vazhdimi i sulmeve tregon se ose “SHBA-të nuk mund ta kontrollojnë” kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu ose se “i kanë dhënë liri veprimi regjimit sionist”.
Një burim tjetër duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve Tasnim tha se forcat e armatosura të Iranit po “identifikojnë objektiva” për t'iu përgjigjur sulmeve të Izraelit ndaj Libanit të mërkurën, duke kërcënuar të tërhiqen nga marrëveshja e armëpushimit nëse ato vazhdojnë.
“Nëse SHBA-të nuk mund ta kontrollojnë mbikëqyrësin e tyre në rajon, Irani do ta ndihmojë atë në këtë çështje në mënyrë të jashtëzakonshme! Dhe këtë, me forcë.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)