Një veteran 100-vjeçar i Luftës së Dytë Botërore ka përjetuar për herë të parë mbrëmjen e maturës, më shumë se tetë dekada pasi u detyrua ta humbiste për shkak të shërbimit ushtarak. Ray Svejnoha, nga Illinois nuk arriti të merrte pjesë në festën e shkollës së mesme pasi u thirr në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Nuk kisha shumë zgjedhje”, kujtoi ai për mediat lokale, duke treguar se ishte urdhëruar të paraqitej për shërbim ushtarak pikërisht në atë periudhë. Historia e tij u zbulua gjatë takimeve me nxënësit e shkollës “Metea Valley High School”, përmes një programi që ndihmon të moshuarit me teknologjinë.
Mësuesja Carey Peterson tha se sapo dëgjoi se Svejnoha kishte humbur maturën, vendosi të organizonte diçka të veçantë për të. “Aty më lindi ideja. Mendova se mund ta ndihmonim ta realizonte këtë dëshirë”, tha ajo. Nxënësit organizuan një surprizë emocionuese me tullumbace kuqezi e blu, flamuj amerikanë dhe një pankartë ku shkruhej: “82 vite me vonesë, por në kohën e duhur”.
Më pas, komuniteti kontribuoi për ta përgatitur veteranin për natën speciale me prerje flokësh, manikyr dhe kostum elegant, ndërsa ai u shoqërua drejt festës me një mjet epoke të dekoruar. Në mbrëmjen e maturës, Svejnoha u prit me duartrokitje nga nxënësit dhe mori mikrofonin për të falënderuar të gjithë të pranishmit. “Nuk mund t’ju tregoj sa shumë e vlerësoj këtë. Ju dua të gjithëve”, u shpreh ai i emocionuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)