Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj në Kinë po kërkojnë t’i largohen ritmit të lodhshëm të jetës urbane, një njoftim i pazakontë për punë në një fermë delesh është kthyer në fenomen në rrjetet sociale. Ajo që dukej si një ofertë e zakonshme pune në një zonë të izoluar rurale, përfundoi duke tërhequr qindra kandidatë nga qytetet më të mëdha të vendit.
Pronar i fermës, Chu Xiaoyong, tregoi se mbeti i surprizuar nga reagimi i jashtëzakonshëm ndaj njoftimit të publikuar në platformën Weibo, i cili arriti rreth 59 milionë shikime dhe mbi 700 aplikime.
Sipas tij, mes aplikantëve nuk kishte vetëm punëtorë ruralë, por edhe punonjës zyrash nga metropole si Shangai dhe Chongqing, punëtorë fabrikash, si dhe të diplomuar në universitete.
Shumë prej kandidatëve kanë deklaruar se arsyeja kryesore për aplikimin ishte dëshira për t’u larguar nga stresi i jetës në qytet dhe kultura intensive e punës “996”, që nënkupton punë nga ora 09:00 deri në 21:00, gjashtë ditë në javë.
Një 28-vjeçare që punon në sektorin e tregtisë elektronike tha se e tërheq ideja e një jete më të qetë dhe larg presionit urban. Ndërsa një tjetër kandidat, 21 vjeç, i cili më parë punonte në fabrikë, u shpreh se kërkon të shpëtojë nga orët e gjata dhe kushtet e vështira të punës.
Pozicioni ofron një pagë prej rreth 1.000 eurosh në muaj, si dhe akomodim dhe ushqim falas, një pagesë që konsiderohet mbi mesataren e sektorit privat urban në Kinë.
Puna konsiston në kujdesin për mijëra dele në një kullotë prej 20 mijë akrash, ndërsa sfidat bëhen edhe më të mëdha gjatë dimrit, kur temperaturat zbresin deri në -30 gradë Celsius.
Në fund, Chu Xiaoyong vendosi të punësojë katër barinj, dy çifte me përvojë të mëparshme në ferma dhe të lindur në vitet 1980. Ai theksoi se nuk planifikon të punësojë të rinj nga qytetet e mëdha apo persona beqarë, pasi izolimi ekstrem i zonës mund të jetë i vështirë për t’u përballuar.
“Jetojmë në një vend ku mund të mos shohësh askënd për një vit të tërë. Nuk besoj se të gjithë mund ta durojnë këtë vetmi”, tha ai.
Komente (0)