Fitorja e Kurtit në zgjedhje, ambasada e SHBA: Gati të rifillojmë dialogun strategjik

Ambasada e SHBA në Prishtinë shprehet se Uashingtoni është gati të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.

Burimi: REL

13.01.2026. 18:12

Fitorja e Kurtit në zgjedhje, ambasada e SHBA: Gati të rifillojmë dialogun strategjik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka deklaruar se Uashingtoni është i gatshëm të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.

Megjithatë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada theksoi se ky proces do të varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat duhet të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe në prosperitetin e përbashkët ekonomik.

Këto qëndrime u shprehën në prag të formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, fitoi mbi 51 për qind të votave. Partia ka paralajmëruar formimin e shpejtë të qeverisë, ndonëse procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht për shkak të afateve ligjore për ankesa dhe certifikimin e rezultateve.

Qeveria Kurti ka udhëhequr vendin edhe gjatë periudhës 2021–2025, një mandat i shoqëruar me kritika të shpeshta nga partnerët ndërkombëtarë. Veprimet e cilësuara si të njëanshme, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë dhe heqjen e dinarit serb nga përdorimi, janë parë si faktorë që kanë rritur tensionet, veçanërisht në veri të vendit.

Si pasojë, Shtetet e Bashkuara pezulluan vitin e kaluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e lidhur vendimin me situatën e brendshme politike dhe tensionet në terren. Megjithatë, Kurti ka theksuar vazhdimisht se SHBA-ja mbetet partneri kryesor i Kosovës, pavarësisht dallimeve në qasje për disa çështje.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)