Një krim i rëndë ka tronditur Italinë, ku një 28-vjeçar është arrestuar për vrasjen e motrës së tij më të vogël. Bëhet fjalë për Giuseppe Musella, i cili është dorëzuar në polici dhe ka pranuar autorësinë e vrasjes së 22-vjeçares Ylenia Musella, ngjarje e ndodhur në Napoli.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Napolit, Ylenia u godit me thikë nga pas të martën pasdite. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin “Villa Betania”, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes.
Ngjarja ka shokuar lagjen Ponticelli, ku viktima jetonte vetëm me vëllain e saj. Nëna dhe njerku i Ylenias ndodhen aktualisht në burg, ndërsa njerku dyshohet të jetë figurë e njohur e klanit kriminal Casella-Circone, i përfshirë në aktivitete të paligjshme në zonë.
Hetimet po nxjerrin në dritë një histori konfliktesh dhe tensionesh të vazhdueshme mes vëllait dhe motrës. Megjithatë, kontrasti është i fortë me imazhin që Ylenia kishte ndarë më herët në rrjetet sociale, ku e përshkruante vëllain si mbështetjen e saj më të madhe, duke e quajtur “nënë dhe baba” për të.
Ndërkohë, profili i Giuseppe Musellës në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen e hetuesve. Ai shfaqej në disa postime me gjeste kërcënuese dhe simbole dhune, duke krijuar imazhin e një personi të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e këtij krimi të rëndë familjar, që ka tronditur opinionin publik në Itali.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)