Ministrja Ibrahimaj: Bordi i Transparencës deri në rikthimin në normalitet, ja pse ndërhymë tani

Rritja e çmimeve të naftës dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare po reflektohen ndjeshëm edhe në vendin tonë. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa janë vendosur edhe masa konkrete për kontrollin e çmimeve.

27.03.2026. 10:55

Ministrja Ibrahimaj: Bordi i Transparencës deri në rikthimin në normalitet, ja pse ndërhymë tani

Rritja e çmimeve të naftës dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare po reflektohen ndjeshëm edhe në vendin tonë. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa janë vendosur edhe masa konkrete për kontrollin e çmimeve.

Sipas saj, që nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në vend është rritur me rreth 24%, ndërsa në bursat ndërkombëtare rritja ka qenë edhe më e fortë. Ajo shpjegoi se, megjithëse çmimet në bursë kanë ndikuar në tregun vendas, ky ndikim nuk është reflektuar në të njëjtën masë.

“Kemi parë që nga fundi i muajit shkurt një situatë që ishte stabël, çmimi mestar ishte 173. Kemi pasur luhatje në mars ku çmimi mesatarisht ka qenë 200 lekë dhe ka arritur 215 lekë maksimumi. Ne kemi pasur një rritje të çmimit të naftës prej 24%. Sa i takon bursës dhe çmimeve të bursës, që nga shkurti është rritur me 99.7%. është evidente që rritja e çmimit të bursave ndonëse ka ndikuar në çmimin ditor s’ka një pasqyrim direkt me të njëjtën vlerë dhe përmasë në çmimet vendase. Dje mblodhëm Bordin, dhe anëtarë të tjerë të bordit, me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen të çmimeve maksimale të tregtimit, mekanizëm që përdoret është një formulë e bazuar në aktin e marrë në vitin 2022 kur kishim një situatë të ngjashme, bazohet në çmimet ditore të bursës dhe i shtohet një marzh 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën”, tha ministrja.

Në këtë kuadër, është aktivizuar Bordi i Transparencës, i cili ka vendosur një çmim maksimal për tregtimin e karburanteve, konkretisht deri në 203 lekë për litër. Ky mekanizëm bazohet në një formulë që merr për referencë çmimet ditore të bursës dhe shton një marzh të kufizuar për shumicë dhe pakicë, me qëllim mbulimin e kostove dhe jo rritjen e fitimeve.

Ministrja theksoi se ndërhyrja u bë pasi tregtarët nuk reflektuan menjëherë uljen e çmimeve në bursë, për shkak të luhatjeve të shpeshta ditore. Sipas saj, institucionet kanë monitoruar në mënyrë të përditshme tregun dhe kanë ndërhyrë sapo është konstatuar mospërputhje.

“Bordin nuk e ngritëm më parë se kemi bërë monitorim ditor të çmimeve të burës, të kostove të taksave të zhdoganimit, dhe të çmimit të tabelave. Vetëm dje është materializuar një mosreflektimi i çmimit të mbylljes së bursës me çmimin në tabelë. Nuk ka pasur abuzim deri ditën e djeshme, edhe dita e djeshme nuk mund të konsiderohet abuzim se jemi kujdesur të monitorojmë. Kemi komunikuar që në momentin që nuk do të ketë reflektim direkt, do të ndërhyjmë me bordin. Në bazë ditore kemi kalkuluar çmimet dhe kanë qenë të balancuara deri ditën e djeshme. Për mosreflektimin nga ana e tregtarëve, është sepse pardje pati një rënie të bursë dhe dje pati një rritje përsëri të saj. Bursa po luhatet me baza ditore. Ne kemi ekip që përditë monitoron jo vetëm çmimet e burës, jo vetëm në fund por dhe gjatë ditës edhe çmimet e tabelës me qëllim që të jemi të vëmendshëm nëse ka luhatje apo nevojë për ndërhyrje”, tha Ibrahimaj”.

Paralelisht, është vënë re edhe një rritje e lehtë e çmimeve të produkteve ushqimore, për të cilat po kryhet monitorim ditor në bashkëpunim me INSTAT dhe Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut. Qëllimi, sipas Ibrahimajt, është të parandalohet çdo formë abuzimi dhe të mbrohet konsumatori.

Bordi i Transparencës do të vijojë të funksionojë deri në stabilizimin e çmimeve në nivelet e parakrizës. Ndërkohë, qeveria nuk parashikon rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyjë me masa mbështetëse për shtresat në nevojë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)