Më tepër se 100 planetë që ndodhen jashtë Sistemit Diellor janë konfirmuar falë ndihmës së inteligjencës artificiale, e cila analizoi të dhënat e mbledhura nga teleskopi hapësinor TESS i NASA-s. Mes këtyre zbulimeve, 31 planetë rezultojnë të jenë të identifikuar për herë të parë.
Studimi është kryer nga Universiteti britanik i Warwick dhe është publikuar në tre artikuj shkencorë në revistën prestigjioze “Monthly Notices of the Royal Astronomical Society”. Sistemi i Inteligjencës Artificiale, i quajtur Raven, ka kaluar në analizë mbi 2,2 milionë të dhëna të mbledhura gjatë katër viteve të para të funksionimit të teleskopit. Ky teleskop është i specializuar në vëzhgimin e uljeve të vogla të ndriçimit të një ylli, të cilat ndodhin kur një planet kalon përpara tij.
Studimi u përqendrua kryesisht te planetët që rrotullohen shumë pranë yjeve të tyre, duke kryer orbitën në më pak se 16 ditë. “Duke përdorur Raven, arritëm të konfirmonim zbulimin e 118 ekzoplanetëve dhe të identifikonim mbi 2000 yje kandidatë për ekzoplanetë, prej të cilëve rreth 1000 janë plotësisht të rinj”, deklaroi Marina Lafarga Magro, autore kryesore e njërit prej artikujve.
Ndër zbulimet më interesante janë planetët që kryejnë orbitën e tyre në më pak se 24 orë, si dhe planetët e ashtuquajturit “shkretëtirë neptuniane”, një zonë ku planetë të ngjashëm me Neptunin mendohet se janë shumë të rrallë. Sipas analizës, rreth 10% e yjeve të ngjashëm me Diellin kanë të paktën një planet me orbitë shumë të afërt, ndërsa planetët e ngjashëm me Neptunin gjenden vetëm rreth 0,08% të këtyre yjeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)