Europa në krizë për karburant, por jo aeroporti i Tiranës: Garantohet vazhdimësi e plotë

Përmes një reagimi publik, autoritetet e aeroportit bëjnë me dije se nuk ka asnjë ndërprerje në furnizim dhe se aktiviteti ajror po zhvillohet sipas planit.

05.05.2026. 17:10

Europa në krizë për karburant, por jo aeroporti i Tiranës: Garantohet vazhdimësi e plotë

Në një kohë kur linjat ajrore në Europë po paralajmërojnë për vështirësi të mundshme me furnizimin me karburant në javët në vijim, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës siguron se në Shqipëri situata paraqitet e qëndrueshme. Përmes një reagimi publik, autoritetet e aeroportit bëjnë me dije se nuk ka asnjë ndërprerje në furnizim dhe se aktiviteti ajror po zhvillohet sipas planit.

Sipas tyre, të gjitha fluturimet po operojnë normalisht dhe nuk pritet të ketë ndikim në shërbimet për pasagjerët. Në deklaratë theksohet se garantimi i vazhdimësisë së furnizimit me karburant mbetet prioritet, duke siguruar funksionim të pandërprerë dhe të sigurt për të gjitha kompanitë ajrore.

“Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht. Të gjitha operimet po zhvillohen sipas planifikimit, ndërsa furnizimi me karburant garanton vazhdimësi të plotë dhe të sigurt të shërbimit për të gjitha linjat ajrore. Prioriteti ynë mbetet gjithmonë siguria dhe një eksperiencë e besueshme për çdo pasagjer”, thuhej në njoftimin e Aeroportit të Tiranës.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka vlerësuar se situata në tregun e karburantit për aviacion në Europë është ndikuar nga zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, një nyje kyçe për transportin global të energjisë, ku tensionet e lidhura me Iranin po pengojnë një pjesë të konsiderueshme të importeve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)