Zgjedhjet në PD, Berisha garon përballë askujt, Kaso: Salianji nuk është më anëtar partie

Sipas Kasos, vetëm Berisha plotësoi të gjitha kriteret e vendosura, përfshirë anëtarësinë në parti, eksperiencën drejtuese dhe kushtet e integritetit sipas legjislacionit në fuqi.

05.05.2026. 16:17

Zgjedhjet në PD, Berisha garon përballë askujt, Kaso: Salianji nuk është më anëtar partie

Kryesia e Partia Demokratike e Shqipërisë ka miratuar kandidaturën e Sali Berishës për garën e 23 majit për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, duke rrëzuar aplikimet e tjera si të papërshtatshme.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, bëri me dije se Kryesia shqyrtoi raportin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), i cili kishte marrë në analizë të gjitha kandidaturat e paraqitura.

Sipas Kasos, tre aplikime u konsideruan zyrtare: ai i Berishës, si dhe kandidaturat e Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt. Megjithatë, vetëm Berisha plotësoi të gjitha kriteret e vendosura, përfshirë anëtarësinë në parti, eksperiencën drejtuese dhe kushtet e integritetit sipas legjislacionit në fuqi.

Dy kandidatët e tjerë, ndonëse anëtarë të PD-së, u skualifikuan për mungesë të eksperiencës së kërkuar drejtuese në strukturat e partisë për një periudhë 10-vjeçare.

Kaso theksoi se kriteret e përdorura janë të njëjta me ato të aplikuara në garën për kryetar të vitit 2022, duke përjashtuar çdo pretendim për ndryshim rregullash.

Sa i përket kandidaturave të tjera të përfolura publikisht, përfshirë atë të ish-deputetit Ervin Salianji, Kaso deklaroi se ato nuk u konsideruan të vlefshme për shkak se nuk është anëtar partie.

Sipas tij, Salianji konsiderohet jashtë PD-së për shkak të shkeljeve të Kodit të Etikës dhe statutit të partisë.

Në përfundim, Kryesia e PD-së miratoi unanimisht vendimin e KOKOE-s për të certifikuar kandidaturën e Berishës si të vetmen në garë për zgjedhjet e 23 majit 2026.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)