I dehur në timon teksa transportonte nxënësit, policia e Elbasanit arreston shoferin e furgonit

Sipas policisë në momentin e kontrollit në zonën e Belshit, në mjet ndodheshin 13 nxënës. Drejtuesi i mjetit, 53-vjeçari Sazan Jashar Gjolena, rezultoi pozitiv në testin e alkoolit.

05.05.2026. 16:57

I dehur në timon teksa transportonte nxënësit, policia e Elbasanit arreston shoferin e furgonit

Një rast shqetësues është regjistruar në zonën e Belshit, në Elbasan, ku një drejtues mjeti që transportonte nxënës është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja u zbulua pas një telefonate të një qytetari në sallën operative të Cërrikut, i cili denoncoi se shtetasi Sazan Gjolena po drejtonte një mjet tip “Benz Sprinter”, i përdorur për transportin e pasagjerëve dhe nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri”, nën ndikimin e alkoolit.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë ndërhynë dhe bënë të mundur ndalimin e mjetit në aksin Belsh - Gjolene. Në momentin e kontrollit, në mjet ndodheshin 13 nxënës. Drejtuesi i mjetit, 53-vjeçari Sazan Jashar Gjolena, banues në Gjolenë, rezultoi pozitiv në testin e alkoolit. Sipas Policisë, testi u krye në dy prova, ku niveli i alkoolit rezultoi 0.68 mg/l në provën e parë dhe 0.67 mg/l në të dytën.

Pas verifikimeve, drejtuesi u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, autoritetet morën masa të menjëhershme për të siguruar transportin e nxënësve me një mjet tjetër, duke shmangur rrezikun për sigurinë e tyre.

NJOFTIMI I POLICISË SË ELBASANIT:

Sot, më datë 05.05.2026, në bazë të telefonatës së dhënë nga qytetari në sallën operative Cërrik, Posta Belsh, se shtetasi Sazan Gjolena, me mjetin tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, i cili kryen transportin e pasagjerëve dhe të nxënësve të Gjimnazit “Sami Frashëri”, drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit, menjëherë e vlerësuam telefonatën e qytetarit dhe morëm masat e duhura, së bashku me patrullën e Postës Belsh të Komisariatit Cërrik, ku u bë e mundur konstatimi dhe ndalimi i mjetit tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, me drejtues shtetasin Sazan Jashar Gjolena, i datëlindjes 20.07.1972, banues në Gjolene, Bashkia Belsh, me drejtim lëvizjeje Belsh–Gjolene.

Në mjet ndodheshin 13 pasagjerë, nxënës të gjimnazit. Pas verifikimit të dokumentacionit, i kryem testin e alkoolit me dy prova: prova e parë rezultoi në masën 0.68 mg/l dhe prova e dytë rezultoi në masën 0.67 mg/l. Menjëherë bëmë shoqërimin e drejtuesit të mjetit, i cili rezultoi në gjendje të dehur, për në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, për veprime të mëtejshme. Morëm masa për të bërë të mundur transportin e fëmijëve me një mjet tjetër të transportit publik të pasagjerëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)