GJKKO rrëzon kërkesën, Jorgo Goro rikthehet në qeli

Gjyqtarja Etleva Deda vendosi lënien në fuqi të vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit prej 6 muaj e 10 ditësh burg.

05.05.2026. 18:33

GJKKO rrëzon kërkesën, Jorgo Goro rikthehet në qeli

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos pranojë kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit deri në një vendimmarrje nga Gjykata e Lartë.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila, pas shqyrtimit të argumenteve të paraqitura nga mbrojtja dhe qëndrimit të prokurorisë, vendosi lënien në fuqi të vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit prej 6 muaj e 10 ditësh burg.

Ish-kryebashkiaku është dënuar për çështjen e tjetërsimit të një prone në favor të Arqile Bollanos. Më herët, Apeli i Posaçëm kishte konfirmuar dënimin me 2 vite burg, i cili u ul në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Çështja lidhet me akuzën për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Dhërmiut. Prona është sekuestruar nga SPAK, ndërsa si përfitues fundor rezulton Artan Gaçi.

Goro u arrestua në mars të vitit të kaluar pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri. Ndërkohë, për të njëjtën çështje pritet të dalë para drejtësisë edhe ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, ndërsa ish-juristi Vezir Gjikoka ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)