Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë disa masa për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore, pas bllokimit të lëvizjes në aksin Librazhd–Pogradec dhe anasjelltas.
Drejtori Besmir Beja, bëri të ditur në konferencën e sotme për mediat se strukturat doganore kanë reaguar duke trajtuar me prioritet shqetësimet e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve.
“Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj”, deklaroi Beja.
Sipas tij, janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.
Në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, është siguruar sipas tij mirëkuptim për lehtësimin e qarkullimit në pikën e kalimit kufitar të Bllatës. Pala maqedonase do të mundësojë kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00, kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë, si dhe kalimin e produkteve bujqësore që kërkojnë certifikim.
“Dogana shqiptare vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave”, shtoi Beja.
Sa i përket mallrave që kanë hyrë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.
“Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar. Operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri”, shpjegoi Drejtori i Doganave.
Në përfundim, Beja theksoi se institucioni është i vetëdijshëm për kostot shtesë që kjo situatë sjell për operatorët ekonomikë dhe ndikimin në proceset e import-eksportit, por garantoi se të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht për të minimizuar pasojat dhe për të siguruar funksionimin sa më normal të aktivitetit tregtar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)