Kryeministri Edi Rama ka komentuar udhëtimin e tij me helikopter drejt Korçës, për pritjen e një grupi investitorësh ndërkombëtarë në fushën e arsimit të lartë, të cilët do të vizitojnë Polin e Dijes në qytetin juglindor dhe kompleksin e ri universitar në Vlorë. Ai shpjegoi se fluturimi me helikopter nuk lidhet me bllokimin e aksit Librazhd-Prrenjas për shkak të rrëshqitjes së tokës, por prej kohës së kufizuar që kanë investitorët.
“Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!”, saktësoi kryeministri.
Pas bllokimit të rrugës dhe gjendjes problematike që është krijuar në Arrat e Gurrës, Rama nënvijëzoi se është e padrejtë që kjo situatë t’i faturohet qeverisë. “Sa për aksin e bllokuar, duhet një ligësi e madhe, një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike në anë të rrugës së vjetër, që nuk ka lidhje me përgjegjësi profesionale apo teknike të projektuesve dhe autoriteteve përkatëse”, tha kreu i qeverisë.
Ai gjithashtu krahasoi situatën me rastet e ngjashme jashtë vendit, duke përmendur shembullin e një masivi gjigand në Itali që po rrëshqet dhe rrezikon një qytet, pa asnjë reagim histerik mediatik apo politik, siç ndodh në Shqipëri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)