Në një kohë kur çmimi i naftës në vend ka arritur deri në 214 lekë/litri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se qeveria po monitoron në mënyrë të vazhdueshme tregun e karburanteve dhe nuk e përjashtoi ngritjen e menjëhershme të Bordit të Transparencës në rast luhatjesh të forta të çmimeve.
Duke qenë se çmimi ka pësuar një rritje të konsiderueshme në 24 orët e fundit, Karakaçi theksoi se mekanizmi për vendosjen e çmimeve tavan ekziston dhe mund të aktivizohet me një vendim të thjeshtë qeverie.
“Bordi i Transparencës është aty dhe mund të ngrihet shumë shpejt, mjafton një vendim i Këshillit të Ministrave. Ne po e ndjekim situatën në dinamikë dhe po vlerësojmë nëse është e nevojshme ndërhyrja”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se aktualisht po analizohet nëse ka mungesë reale të produktit në treg apo nëse rritja e çmimeve lidhet me faktorë të tjerë. Sa i përket krizës ndërkombëtare dhe ndikimit të mundshëm nga Lindja e Mesme, ministri siguroi se Shqipëria nuk rrezikon mungesë furnizimi.
“Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizuesit shqiptarë. Mbi 90% e naftës vjen në vend përmes rrugëve të tjera detare”, deklaroi Karakaçi.
I pyetur për kërkesën e opozitës për uljen e taksës së qarkullimit, në mënyrë që çmimi i naftës të zbresë në pragun e 175 lekëve për litër, ministri theksoi se modeli aktual është më i drejtë dhe i harmonizuar me praktikat europiane.
“Taksa e qarkullimit nuk është thjesht 45 lekë për t’u ulur. Ne kemi ndjekur një model ku ajo përfshihet në çmimin e karburantit. Kjo është një praktikë që përdoret edhe në vendet e BE-së”, tha ai.
Sipas Karakaçit, ky sistem garanton që ata që përdorin më shumë automjetin dhe konsumojnë më shumë karburant, paguajnë proporcionalisht më shumë taksa. “Marrja e taksës në pikën e karburantit është mënyra më e mirë, pasi ai që konsumon më shumë litra, paguan më shumë”, shtoi ministri.
Kujtojmë se vetëm 24 orë më parë, kryeministri Edi Rama tha se rritja e çmimit të naftës në vend është e moderuar në krahasim me situatën në vendet e tjera dhe vlerën e naftës në bursë.
“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Gjithsesi sfida është e hapur, nuk di askush se si do të evoluojë çmimi në bursë apo kur do të përfundojë kjo krizë”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se kompanitë kanë rezerva të mjaftueshme për rreth 30 ditë, ndërsa kontratat e furnizimit garantojnë deri në 100 ditë. Paralelisht, qeveria sipas tij po punon për të rritur kapacitetin e rezervës shtetërore të naftës deri në këtë nivel.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)