Veliaj mbetet në qeli, SPAK e ndalon që të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për buxhetin

Prokuroria e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kryebashkiaku Erion Veliaj të merrte pjesë në mbledhjen për buxhetin 2026.

17.12.2025. 14:34

Veliaj mbetet në qeli, SPAK e ndalon që të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për buxhetin

Erion Veliaj nuk do ta lërë qelinë e paraburgimit në Durrës për t’u rikthyer sërish në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, edhe pse ai mbetet kryebashkiaku në fuqi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Paraqitja fizike e Veliajt në mbledhjen ku do të diskutohet në detaje projektbuxheti 2026 për kryeqytetin, është ndaluar nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK e ka refuzuar kërkesën zyrtare për leje të posaçme prej tyre dhe Drejtorisë së Burgjeve, bërë mëngjesin e kësaj të mërkure nga ana e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

"Kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 16- 18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës", thuhet në përgjigjen e SPAK.

Sipas anëtarëve të Këshillit, pjesëmarrja e Veliajt është e detyrueshme dhe e garantuar me ligj, pasi ligji për vetëqeverisjen vendore dhe ai për financat e qeverisjes vendore parashikojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet kryebashkiakut dhe këshillit për çështje me interes publik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)