Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur rreth tre javë më parë, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në portën e një banese në qytetin bregdetar. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, janë arrestuar dy autorët e dyshuar, babë e bir.
Si rezultat i hetimeve intensive, u identifikuan dhe u ndaluan shtetasit D. G., 59 vjeç, banues në Babicë e Madhe dhe djali i tij 29-vjeçar me inicialet F. B.. Ata akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, i kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja”.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se dy shtetasit kanë mbajtur në banesën e tyre një automjet tip “Volkswagen Golf Plus”, i cili rezultonte i vjedhur në qytetin e Elbasanit. Më datë 29.11.2025, ky automjet dyshohet se është përdorur për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., ku është vendosur një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës, e cila më pas ka shpërthyer.
Pas kryerjes së ngjarjes, automjeti i përdorur nga autorët e dyshuar është gjetur i djegur në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)