Shiste “emër të madh”, por mall të rremë, zbulohet dyqani me falsifikime në Tiranë

Arrestohet një 29 vjeçar në Tiranë pasi akuzohet se shiste mallra me logo të falsifikuara të firmave të njohura ndërkombëtare.

30.01.2026. 17:28

Shiste “emër të madh”, por mall të rremë, zbulohet dyqani me falsifikime në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 29-vjeçar, i cili akuzohet se tregtonte veshje dhe aksesorë të dyshuar si të falsifikuar në dyqanin e tij. Sipas burimeve zyrtare, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet H. R., banues në Tiranë.

Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Etiketa”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, me qëllim evidentimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet tregtar në informalitet dhe shmangin detyrimet tatimore.

Gjatë kontrolleve në dyqanin e ndodhur në rrugën “Sulejman Delvina”, uniformat blu konstatuan një sasi të konsiderueshme mallrash, përfshirë veshje, çanta, syze dhe ora, të pajisura me logo të markave të njohura ndërkombëtare, të cilat dyshohet se ishin të falsifikuara.

Sipas policisë, 29-vjeçari nuk posedonte fatura blerjeje që vërtetonin origjinën e mallrave dhe dyshohet se nuk lëshonte kuponë tatimorë për shitjet, duke synuar shmangien e detyrimeve fiskale. Të gjitha mallrat e gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. Policia bën me dije se kontrollet ndaj subjekteve që shkelin ligjin në fushën e tregtisë dhe tatimeve do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)