Policia zbardh ngjarjen e rëndë në Lezhë, shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar

Një atentat me armë zjarri i ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës ka zbuluar prapaskena të një konflikti të nisur muaj më parë mes fisit Nikulaj dhe fisit Ndoka, të paktën sipas policisë.

02.02.2026. 21:42

Policia zbardh ngjarjen e rëndë në Lezhë, shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar

Një atentat me armë zjarri i ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës ka zbuluar prapaskena të një konflikti të nisur muaj më parë mes fisit Nikulaj dhe fisit Ndoka, të paktën sipas policisë. Ngjarja, e cila la të plagosur shtetasin Sokol Daci, ka vënë në lëvizje strukturat hetimore, duke çuar në identifikimin e autorëve të dyshuar dhe shpalljen e tyre në kërkim.

Sipas Policisë së Lezhës, tre autorët e dyshuar të atentatit janë Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka. Po ashtu, në këtë ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe Merando Nikulaj, i cili është shpallur në kërkim. Hetimet kanë zbardhur se konflikti mes palëve ka nisur gjatë verës, pranë zonës së plazhit, aty ku familja Nikulaj zotëron edhe një hotel.

Sipas policisë, bëhet me dije se gjatë konfliktit të verës, Merando Nikulaj dhe kushëriri i tij janë përplasur fillimisht me motor me djemtë e fisit Ndoka, për t’u përfshirë më pas në një konfrontim të dhunshëm fizik, ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe sende të forta. Për këtë ngjarje, Merando Nikulaj është çuar më herët në gjyq.

Në lidhje me atentatin e 1 shkurtit 2026, rreth orës 21:00, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Në kuadër të këtyre veprimeve, është ndaluar edhe efektivi i Policisë së Shtetit, Besart Kovaçi, 24 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Lezhës për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Për shkak të hetimeve, autoritetet nuk japin detaje të tjera.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)