Opozita ka nisur përgatitjet për një tjetër protestë kombëtare, teksa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka dërguar një mesazh strukturave për mobilizim maksimal. Në komunikimin e shpërndarë brenda partisë, Berisha konfirmon se protesta e radhës do të zhvillohet të shtunën, më 28 shkurt, ndërsa ora dhe vendi do të bëhen publike të hënën.
Në mesazh, Berisha përgëzon anëtarët dhe mbështetësit për, sipas tij, “suksesin shumë të rëndësishëm” të 20 shkurtit, duke e cilësuar atë një moment me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai kërkon që, duke nisur nga dita e nesërme, të intensifikohet puna në terren.
“Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e 28 shkurtit. Kjo është përparësia jonë”, thuhet ndër të tjera në mesazh.
Thirrja i drejtohet anëtarëve të Kryesisë, drejtuesve politikë në qarqe, kryetarëve të degëve, deputetëve, si dhe përfaqësuesve vendorë të PD-së.
Protesta e fundit kombëtare e opozitës ishte ajo e 20 shkurtit, e cila zgjati për rreth 3 orë dhe në pjesën më të madhe të kohës u karakterizua nga molotovi, gazi lotsjellës e uji me presion. Fatmirësisht nuk pati të lënduar rëndë, ndërsa me dhjetëra protestues u ndaluan nga policia.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)