“Na shkatërroi”, drejtori i burgut të Rrogozhinës bën fajtor vëllain për magazinën me 4000 bimë kanabis

Gjatë operacionit të zhvilluar dje, në dy magazina në pronësi të tij u zbuluan rreth 4 mijë rrënjë kanabisi, të pajisura me ndriçim artificial dhe infrastrukturë të specializuar për kultivim.

20.03.2026. 13:34

“Na shkatërroi”, drejtori i burgut të Rrogozhinës bën fajtor vëllain për magazinën me 4000 bimë kanabis

Pasi u vetëdorëzua në komisariat dhe u mor në pyetje nga Policia e Elbasanit, drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është lënë i lirë dhe po hetohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me kultivimin e drogës, në magazinën që u gjet mbrëmjen e djeshme.

Gjatë operacionit të zhvilluar dje, në dy magazina në pronësi të tij u zbuluan rreth 4 mijë rrënjë kanabisi, të pajisura me ndriçim artificial dhe infrastrukturë të specializuar për kultivim.

Në dëshminë e tij, Hasa ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se ambientet administroheshin nga vëllai i tij, Romario Hasa, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Sipas tij, prej muajsh nuk kishte shkuar në magazinë dhe nuk kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm.

Ky version është mbështetur edhe nga babai i tyre, i cili ka pohuar se kontrata e përdorimit të magazinës ishte në emër të Romarios. Madje, gjatë qëndrimit në polici, Hasa dhe i ati janë përgjuar duke thënë për të: “Na shkatërroi!”.

Në kuadër të hetimeve, është arrestuar edhe faturisti i OSHEE-së, Erion Dekovelli, i cili akuzohet se nuk raportoi konsumin e lartë të energjisë elektrike. Ai ka deklaruar se kontratat i kishte lidhur me Romario Hasën.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe dy zyrtarë të tjerë të OSHEE-së në Peqin, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Policia ka sekuestruar prova materiale në vendngjarje, përfshirë sende me gjurmë ADN-je si shishe plastike, bishta cigaresh dhe mjete pune, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë.

Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve ka pezulluar nga detyra Bilal Hasën deri në përfundim të hetimeve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)