Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnate në Tiranë, ku një efektiv policie ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në zonën e Shkozës. I lënduari është identifikuar si Anxhelo Kumaraku, rreth 30 vjeç.
Mësohet se në momentin e incidentit ai ka qenë jashtë shërbimit. Sipas burimeve paraprake ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.
30-vjeçari u transportua menjëherë drejt spitalit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit. 30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, informon policia.
Pas sinjalizimit për ngjarjen, forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, grupi hetimor, së bashku me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të plagosjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)