Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’, e drejtuar nga Adriatik Lapaj po mban këtë të shtunë protestën e paralajmëruar para Kryeministrisë, pas më shumë se 1 jave që kreu i saj dhe dhjetëra mbështetës kërkuan çdo pasdite dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama nga trotuari poshtë zyrës së tij.
Tubimi ka nisur me përplasje me efektivët e policisë, të cilët janë dislokuar përreth Kryeministrisë dhe Kuvendit për të ruajtur rendin. Protesta ka agravuar pasi uniformat blu kanë tentuar të heqin foninë dhe podiumin e ngritur nga aktivistët e “Shqipëria Bëhet” në momentin kur Adriatik Lapaj do të merrte fjalën për t’iu adresuar qytetarëve të pranishëm.
Pas përleshjes edhe fizike mes efektivëve dhe protestuesve, policia është tërhequr duke krijuar një kordon sigurie për ta penguar turmën që t’i afrohet godinës së Kryesisë së Kuvendit dhe Kryeministrisë.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka intensifikuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Gjatë tubimit, protestuesit brohoritën thirrje si “Drejtësi, drejtësi, drejtësi”, “Edi Rama o hajdut” dhe “Edi Rama o frikacak”.
Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, mbajti një fjalim të ashpër, ku akuzoi kryeministrin për vjedhje masive dhe mashtrim të qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, premtimet e dhëna nga Rama nuk janë mbajtur dhe vendi ndodhet përballë një momenti vendimtar.
“Ftoj qytetarët të bashkohen dhe që Rama të dorëhiqet. Premtimet që dha, Rama gënjeu dhe nuk i mbajti”, deklaroi Lapaj para protestuesve.
Ai theksoi se protestat janë një thirrje për bashkim të brezit të ri dhe përballje morale me atë që e cilësoi si keqqeverisje. “Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes”, u shpreh Lapaj, duke shtuar se nuk i trembet pasojave ligjore si procedimi penal që është nisur nga policia për qëndrimet e tij në protestën e përditshme para Kryeministrisë.
“Nuk trembem nga procedimet penale”, theksoi ai, duke e konsideruar protestën si një akt qytetar dhe demokratik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)