Kërkesa e PD për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Kuvendi si Rama: Do presim Gjykatën Kushtetuese!

Kryeparlamentari Niko Peleshi, i është përgjigjur zyrtarisht deputetëve të Partisë Demokratike, pas kërkesës së tyre për caktimin e datës së mbledhjes së dytë të Këshillit të Mandateve, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

29.12.2025. 20:54

Kërkesa e PD për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Kuvendi si Rama: Do presim Gjykatën Kushtetuese!

Kuvendi i Shqipërisë i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për caktimin e datës së mbledhjes së dytë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në shkresën e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bëhet e ditur se kërkesa e 5 deputetëve demokratë nuk pranohet, pasi ende nuk është ezauruar koha e nevojshme që Balluku të njihet me aktet dhe provat e dorëzuara nga SPAK dhe të përgatisë mbrojtjen e saj.

Po ashtu, Kuvendi thekson se duhet pritur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur që më 22 janar të shqyrtojë ankimin e kryeministrit Edi Rama për përplasje kompetencash, pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra.

Balluku u rikthye në detyrë më 12 dhjetor me vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi vendimin e GJKKO-së për shkarkimin e saj, duke lënë në fuqi vetëm masën e ndalimit të daljes jashtë vendit. Ndërkohë, SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e saj.

Mbledhja e parë e Këshillit të Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, pa u dakordësuar një datë për seancën e radhës, pas dorëzimit të provave nga SPAK.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)