Partia Demokratike ka kërkuar sërish mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për t’i hapur rrugë shqyrtimit të kërkesës së SPAK për autorizimin e heqjes së mandatit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Demokratët e cilësojnë antiligjore shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit, duke pretenduar se kjo i jep kohë Ballukut të prishë prova dhe të intimidojë dëshmitarë, shqetësim që sipas tyre është ngritur edhe nga prokurorët e posaçëm në mbledhjen e 19 dhjetorit.
Në kërkesën e tyre, PD i referohet Rregullores së Kuvendit, sipas së cilës Këshilli ka detyrim ligjor të shqyrtojë kërkesat e Prokurorisë dhe të mblidhet edhe me kërkesën e gjysmës së anëtarëve. Ata rikujtojnë se SPAK ka depozituar kërkesën më 16 dhjetor 2025 dhe se mbledhja e 19 dhjetorit u ndërpre pa vendim dhe pa caktuar datë të re.
PD kërkon që Këshilli të mblidhet më 6 janar 2025, me rend dite vijimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK, si dhe njoftimin zyrtar të të gjitha palëve për të garantuar të drejtën e mbrojtjes.
Në përfundim, demokratët i bëjnë thirrje Kryetarit të Kuvendit të zbatojë detyrimet ligjore, duke paralajmëruar se mosmbledhja e Këshillit rrezikon të pengojë drejtësinë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)