Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Integrimit Europian, socialisti Taulant Balla foli për ligjin e sigurisë ushqimore, duke e quajtur hap vendimtar drejt BE-së.
Balla u shpreh optimist për ritmin e negociatave me BE-në, duke theksuar se viti 2026 do të jetë më intensiv për punën parlamentare. Sipas tij, vetëm në dy seancat e fundit të Kuvendit janë miratuar mbi 30 ligje të lidhura drejtpërdrejt me përmbushjen e piketave të negociatave, ndërsa deri në fund të sesionit parlamentar pritet shqyrtimi i mbi 200 ligjeve të tjera.
Sipas Ballës, politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë janë gurthemeli i këtij procesi dhe nuk mund të përmbushen vetëm përmes legjislacionit në Kuvend, por kërkojnë ndërtimin e një sistemi kontrolli efektiv, transparent dhe të mbështetur në shkencë. Ai theksoi se siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare.
Një nga sfidat kryesore, sipas tij, mbetet hyrja e ushqimeve të skaduara nga jashtë vendit, ndaj kërkohet një qasje më proaktive dhe më e integruar mes institucioneve, përfshirë forcimin e kontrollit, rritjen e kapaciteteve të AKU-së, zhvillimin e laboratorëve dhe garantimin e standardeve në pikat kufitare.
Balla theksoi se ligji i ri për kontrollet zyrtare, i përafruar me rregulloren e BE-së të vitit 2017, si dhe ligji i ri për ushqimin, janë hapa kyç për ndërtimin e një sistemi modern dhe të besueshëm të sigurisë ushqimore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)