Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë ka publikuar draft-raportin për Shqipërinë për vitin 2025 duke vlerësuar progresin e bërë në rrugën drejt integrimit dhe hapjen e gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve.
Por në të theksohet se një sërë rekomandimesh kyçe, veçanërisht ato të OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore, mbeten ende të patrajtuara. Sipas dokumentit ndonëse kuadri zgjedhor konsiderohet “përgjithësisht i përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese”, mbeten shqetësime serioze për “mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve”.
Sa i përket procesit të anëtarësimit, raporti “përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj integrimit evropian dhe faktin që vendi hapi të gjithë grup-kapitujt e negociatave brenda 13 muajve”, si dhe ambicien për t’i mbyllur ato deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, theksohet nevoja për “zbatimin e plotë dhe të thelluar të legjislacionit”.
Në fushën e shtetit të së drejtës, drafti vlerësohet vijimi i reformës në drejtësi dhe procesi i vettingut, por nënvizohen sfidat që lidhen me “stokun e lartë të çështjeve të prapambetura” dhe përpjekjet për ndikim të papërshtatshëm në sistemin gjyqësor. Po ashtu, theksohet se korrupsioni “mbetet një shqetësim serioz” dhe kërkohen rezultate konkrete, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë.
Në drejtim të të drejtave themelore, bëhet thirrje për më shumë mbrojtje të lirisë së medias dhe pluralizmit, si dhe për forcimin e kuadrit kundër diskriminimit. Ndërkohë, në aspektin socio-ekonomik dhe mjedisor, raporti vëren dobësi strukturore në ekonomi dhe shpreh shqetësim se gjatë vitit të kaluar “nuk ka pasur progres në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike”.
Në planin e jashtëm, drafti përgëzon Shqipërinë për përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe për rolin e saj konstruktiv në rajon, duke e konsideruar këtë si një element të rëndësishëm në procesin e zgjerimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)