LIVE Protesta/ 'Bombardohet' vila e Enver Hoxhës, policia i bën "dush" Sali Berishës

Mbahet protesta e radhës e opozitës përpara Kryeministrisë, ku kërkohet largimi i qeverisë Rama. Sipas organizatorëve, protesta e sotme nuk do të ketë folës.

28.02.2026. 17:05

LIVE Protesta/ 'Bombardohet' vila e Enver Hoxhës, policia i bën "dush" Sali Berishës

Me një betejë tashmë të fituar, atë të largimit të zv.kryeministres Belinda Balluku, opozita rikthehet edhe njëherë në protestë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe zgjedhje të parakohshme.

Me një format ndryshe, protesta e opozitës nuk kishte folës dhe ishte parashikuar në formën e një marshimi në disa nga institucionet kryesore të vendit.

Përplasja e parë mes protestuesve dhe policisë së shtetit është shënuar në rrugën “Gjergj Fishta”, shumë pranë drejtorisë së policisë së shtetit.

Forcat e policisë kishin vendosur një kordon që nuk lejoi kalimin e mbështetësve të opozitës për të protestuar përpara këtij institucioni.

Më pas, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit duke "sulmuar" herë pas here koshat e mbeturinave dhe lëshuar thirrje kundër qeverisë së Edi Ramës.

Fushëbeteja e mbrëmjes ishte zona e ish-Bllokut, ku protestuesit me bomba të shumta molotov kanë sulmuar vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Situata ishte e paqartë dhe shumë e rrezikshme pasi godina e kthyer në një qendër arti, kishte njerëz në momentin e sulmit.

E menjëhershme ishte dhe përgjigjja e policisë e cila hodhi gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në një nga zonat më të frekuantuara në fundjavë nga qytetarët dhe turistët e huaj.

E teksa demokratët po tentonin një tjetër grumbullim përpara Kryeministrisë, një tjetër dush uji sulmoi organizatorët, mes të cilëve dhe Sali Berishën, i cili pavarësisht mbrojtjes me çadra nga badigardët, nuk shpëtoi pa u lagur.

Kreu i demokratëve e cilësoi protestën, një marshim revoltë kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Sipas Berishës, ndryshimi i ministrave ishte një tentativë e Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij.

“Kryengritja paqësore sot ka formën e një marshimi revoltë, në rrugët e tiranës për të shprehur zemërimin ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj. T’i themi Ramës se jo një Lubi po 30 të largosh do jesh t’i objekti i revoltës popullore.

Beteja jonë deri në largimin e Ramës. Është ai gjeneratori i të gjithë të këqijave të lidhura me regjimin e tij. Ndaj dhe largimi i ministrave bëhet për të ruajtur lëkurën e tij. Në policinë e shtetit është një nga kryebanditët që është Ilir Proda. Do t’i themi se aq sa të ardhme ka Rama aq do të ketë dhe ai. Në zyrën e tij është dhe Ergys Agasi”, u shpreh Berisha.

Kujtojmë që kjo është protesta e katërt kombëtare e opozitës për këtë vit për të kërkuar largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Protestat e mëparshme janë shoqëruar me akte dhune, ku mbështetësit e opozitës kanë hedhur bomba molotovë dhe sende të forta drejt kryeministrisë dhe parlamentit, teksa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

21:22-“Po bëjnë terror”, Flamur Noka: Duam zgjidhje politike
Sekretari i PD, Flamur Noka kërkon një zgjidhje politike gjatë një prononcimi për mediat në protestën e opozitës.

Sipas Nokës, policia po bën terror në rrugët e Tiranës duke hedhur gaz lotjsjellës dhe duke ushtruar dhunë.

“Barbarët po bëjnë terror në rrugët e Tiranës. Çfarë borxhi i ka Tirana, Edi Ramës, i vodhi i rropi. Nuk ka dhunë që do të ndalë revoltën tonë. Ka vetëm një rrugë zgjidhje politike dhe të largohet kjo qeveri. Nuk ka legjitimitet Rama dhe qeveria e tij. Ai e ndjen në lëkurë, i ka futur duar në xhep çdo qytetari. Duhet një zgjidhje politike. Shqipëria kërkon stabilitet, ne kemi detyrë t’ia japim. Nuk ndalemi”, tha Noka.

21:17: Molotovët mbi vilën e Enver Hoxhës, Bardhi: Aty Edi Rama mbyll pazaret me krimin

Foto: Youtube/Partia Demokratike

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në komunikimin e dytë me mediat në protestën e sotme kombëtare, ka akuzuar policinë për sulm ndaj qytetarëve që sipas tij po bënin një marshim paqësor.

“Është përsëritur dhuna e paprecedentë e policisë ndaj protestuesve paqësore të opozitës. Në Drejtorinë  e përgjithshme të Policisë na u bllokua rruga dhe u sulmuam pas asnjë shkak me gaz lotsjellës. E njëjta gjë ndodhi edhe në Drejtorinë e policisë së Tiranës dhe në kryesinë e Kuvendit. Ne ishim në një marshim tërësisht paqësor”, tha Bardhi.

I pyetur për sulmin e papritur me molotov që ndezi në flakë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila tani shërben si rezidencë për artistët e huaj, Bardhi tha se ajo ishte shenjë e revoltës qytetare, pasi aty sipas tij kryeministri Edi Rama mbyll pazaret me krimin.

“Së pari ajo shërben si një vilë ku Edi Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe pazaret korruptive. Është pa diskutim një simbol i diktaturës dhe kur revolta qytetare sheh  nuanca të atij regjimi pas 35 vitesh, është gjëja më normale që të ketë revoltë. E rëndësishme është që nuk ka asnjë person të lënduar përveç protestueseve.”

I pyetur nëse ka dijeni për faktin se brenda vilës ka pasur apo jo njerëz në momentin e hedhjes së molotovëve, Bardhi tha: “Unë s’jam administrator i godinës”.

“Ajo që unë di është se nuk ka asnjë person të lënduar dhe të vetmit të lënduar janë qytetarët protestues që janë sulmuar në mënyrë të paprecedentë me gaz dhe ujë”, shtoi ai.

Një mesazh Bardhi e pati edhe për ministren e Brendshme në largim, Albana Koçiu, të cilën e emërtoi “zare e Belinda Ballukut”.

“Ti mendon se unë tani i kthej përgjigje... se deri sa ishte Ministrinë e Brendshme, ishte ,ministrja e Adresave dhe zare e Edi Ramës. Tani është ulur në nivel është bërë zare e Belinda Ballukut dhe unë i uroj fatin e Belinda Ballukut”, u shpreh Bardhi.

21:01 - Policia “dush” Berishës, ujë me presion ndaj kreut të demokratëve

Foto: Partia Demokratike

Një tjetër episod për t’u përmendur në protestën e opozitës ishte dhe sulmi me ujë me presion që policia e shtetit ndërmori ndaj disa drejtuesve të opozitës, mes të cilëve dhe kreu i demokratëve, Sali Berisha.

Teksa protestuesit po mblidheshin sërish përpara kryeministrisë, boti me ujë i policisë ka ndërhyrë dhe e ka drejtuar atë drejt personave të pranishëm.

Ndonëse, badigardët e Berishës tentuan ta mbrojnë atë me çadra, presioni i ujit e ka bërë të pamundur që kreu i demokratëve të shpëtonte pa u lagur.

Menjëherë, është afruar dhe makina e Berishës, e cila e ka larguar atë me shpejtësi nga bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Gjithçka, ndodhi pasi protestuesit hodhën sasi të mëdha me bomba molotov në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha.

20:50 - Bombardohet me molotov vila e ish-diktatorit Enver Hoxha

Foto: Youtube/PD

Në një akt të papritur, mbështetësit e opozitës e kanë ndalur marshimin në zonën e ish-Bllokut dhe i kanë hedhur të gjithë bombat molotov në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha.

E vendosur në zonën e ish-Bllokut, godina që tashmë ka një tjetër funksion ka marrë një mori bombash molotov, duke marrë flakë.

Nga pamjet bie në sy se brenda kësaj godine kishte njerëz në momentin e sulmit, teksa mbështetësit e opozitës kanë vijuar më tej marshimin e tyre pas hedhjes së molotovit.

20:37-“Po grinden me koshat”, Koçiu për protestën: Të shkosh me molotov drejt policisë, provokim

Ministrja Albana Koçiu ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me protestën e opozitës në rrugët e kryeqytetit.

Sipas ministres, të shkosh me bomba molotov drejt godinës së policisë së shtetit është një provokim i hapur.

Reagimi i ministres Koçiu në rrjetet sociale:

Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës.

Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë.

Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.

Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet.

20:03-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Noka: Askush nuk ua shpëton dot fytyrën, marshimi vijon

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka deklaroi se Tirana është sot në duar e qytetarëve teksa shtoi se marshimi do të vijojë, pa dhënë më shumë detaje.

“Askush nuk do tia shpëtojë dot lëkurën Edi Ramës, as narkoProda as banda e tij në policinë e shtetit. Ne jemi në marshim. Tirana iu takon qytetarëve. Rrugët e Tiranës do të jenë të qytetarëve. Vazhdojmë”, tha Noka.

19:47-Rama për protestën e PD: Opozita me plehrat, kundër qytetarëve

Kryeministri Rama ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale për protestën e radhës së opozitës që po zhvillohet në Tiranë, me një organizim krejt ndryshe.

Kreu i qeverisë ka ashpërsuar gjuhën ndaj organizatorëve të protestës dhe mbështetësve të tyre teksa ka postuar një foto të molotovëve të hedhura rrugëve të kryeqytetit.

“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”, shkruan Rama.

19:37 -  "Pritë" protestuesve pranë Drejtorisë së Policisë, përleshje fizike dhe gaz lotsjellës

Foto: Youtube/Partia Demokratike

Është ndërprerë në mes të bulevardit “Gjergj Fishta” marshimi i qytetarëve në protestën kombëtare të Partisë Demokratike.

Protestuesit u nisën nga Kryeministria për të shkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, si shenjë revolte kundër kreut të saj Ilir Proda, të cilin opozita e akuzon për lidhje me krimin e organizuar, por një kordon policor i ndali në mes të rrugës.

Pas disa përplasjeve verbale të deputetëve demokratë me efektivët, nisi përplasja fizike mes protestuesve dhe policisë, ku pati kontakt fizik.

Më pas efektivët e policisë hodhën gaz lotsjellës dhe spray me piper për të shpërndarë turmën, teksa disa prej protestuesve e çanë kordonin e krijuar për t’i privuar marshimin drejt Drejtorisë së Policisë.

Tashmë e gjithë hapësira në bulevardin “Gjergj Fishta” është mbuluar nga gazi lotsjellës, ndërsa bie në sy se protestuesit janë shpërndarë përgjatë shtratit të lumit Lana.

19:34-Përplasja e parë mes protestuesve dhe policisë, hidhet gaz lotsjellës, Bardhi: E pazakontë hapni rrugën

Foto: Partia Demokratike

Është shënuar përplasja e parë mes protestuesve dhe policisë së shtetit në rrugën “Gjergj Fishta”, shumë pranë drejtorisë së policisë së shtetit.

Forcat e policisë kanë vendosur një kordon që nuk lejon kalimin e mbështetësve të opozitës për të protestuar përpara këtij institucioni.

Protestuesit dhe policia janë përplasur me njëri-tjetrin, teksa në rreshin e parë kanë qenë dhe deputetët demokratë.

Gazment Bardhi ka kërkuar nga policia që të hapë rrugën pasi është në shkelje të ligjit.

“Policia ka dalë në rrugë dhe nuk na lejon të vazhdojmë protestën. Janë në shkelje të ligjir. Asnjë drejtues nuk dalë të flasë me ne. Ata urdhërohen nga Suel Cela dhe Ergys Agasi. Ky është një absurd”, tha Bardhi.

19:18 - Marshim opozitar në Tiranë, protestuesit në Drejtorinë e Policisë, rrugëve hidhet molotov

Foto: Youtube/Partia Demokratike

Protesta e opozitës ka pasur një skenar të ndryshëm nga ato të mëparshmet. Protestuesit së bashku me deputetët dhe kryetarin Sali Berisha u mblodhën në fillim para Kryeministrisë, për të nisur pas 30 minutash qëndrim aty, një marshim në disa institucione.

Ndalesa e parë ishte drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku opozita akuzon krerët e këtij institucioni si të lidhur me krimin dhe në shërbim të regjimit të Edi Ramës.

Berisha në ndalesën e parë që bëri gjatë marshimit pikërisht përballë selisë blu, tha se “kryengritja do të shkojë te mercenari i Edi Ramës, Ilir Proda”, për të cilin tha se është në në zyrë së bashku me Ergys Agasin.

Protestuesit, përmes thirrjeve të tyre kërkojnë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, që molotov janë hedhur në mes të rrugës gjatë marshimit pa një objektiv të qartë.

19:13-Berisha tregon skenarët e protestës: Edi Rama, objekt i revoltës, le të largojë dhe 30 Lubi

Foto: Youtube/Partia Demokratike

Sali Berisha ka folur për mediat në lidhje me skenarët e protestës së sotme të opozitës në rrugët e kryeqytetit.

Kreu i demokratëve e cilësoi protestën e sotme një marshim revoltë kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Sipas Berishës, ndryshimi i ministrave ishte një tentativë e Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij.

“Kryengritja paqësore sot ka formën e një marshimi revoltë, në rrugët e tiranës për të shprehur zemërimin ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj. T’i themi Ramës se jo një Lubi po 30 të largosh do jesh t’i objekti i revoltës popullore.

Beteja jonë deri në largimin e Ramës. Është ai gjeneratori i të gjithë të këqijave të lidhura me regjimin e tij. Ndaj dhe largimi i ministrave bëhet për të ruajtur lëkurën e tij. Në policinë e shtetit është një nga kryebanditët që është Ilir Proda. Do t’i themi se aq sa të ardhme ka Rama aq do të ketë dhe ai. Në zyrën e tij është dhe Ergys Agasi”, u shpreh Berisha.

19:01 - Protesta e opozitës, nis marshimi në rrugët e kryeqytetit

Foto: Youtube/Partia Demokratike

Pasi kanë qëndruar për disa minuta përpara kryeministrisë, mbështetësit e opozitës kanë nisur një marshim në rrugët e kryeqytetit. Ende nuk dihen detaje e protestës. Protestuesit thërrasin parulla kundër qeverisë.

18:30 - Sali Berisha nis marshimin drejt kryeministrisë, nis protesta e opozitës

Me 30 minuta vonesë ka startuar dhe protesta e radhës e Partisë Demokratike. Kreu i kësaj partie Sali Berisha ka dalë nga selia për t’iu bashkuar protestuesve në bulevard. Ai shoqërohet nga një numër i madh mbështetësish dhe deputetësh. Protesta e opozitës pritet që të ketë një skenar ndryshe.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)