“Pasoja në funksionimin e bashkisë”, Veliaj ankimon masën e paraburgimit në Gjykatën Kushtetuese

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës argumentonin se mënyra e trajtimit të çështjes nga prokuroria mund të ndikojë negativisht në funksionimin e institucioneve demokratike.

16.03.2026. 15:22

“Pasoja në funksionimin e bashkisë”, Veliaj ankimon masën e paraburgimit në Gjykatën Kushtetuese

Mbrojtja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kundërshtimet ndaj kërkesave të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vazhdimin e masës së sigurimit ndaj tij. Avokatët e Veliajt argumentonin se mënyra e trajtimit të çështjes nga prokuroria mund të ndikojë negativisht në funksionimin e institucioneve demokratike.

Sipas mbrojtjes, prokuroria ka argumentuar se vetë autoriteti i një të zgjedhuri vendor mund të përbëjë rrezik për hetimin penal, duke pretenduar se edhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, autoriteti i rikthyer mund të krijojë presion mbi vartësit dhe të ndikojë në lirinë e dëshmisë së tyre. Avokatët e Veliajt kundërshtojnë këtë qasje, duke theksuar se legjitimiteti demokratik i një të zgjedhuri nuk mund të trajtohet si presion procedural.

Në kundërshtimet e dorëzuara gjithashtu theksohet se një nga arsyet që SPAK ka përdorur për masën e paraburgimit është depozitimi nga Veliaj dhe Bashkia e Tiranës i një padie administrative për verifikimin e mandatit të një prokurori të çështjes. Mbrojtja argumenton se kjo është ushtrim i të drejtës për kontroll gjyqësor dhe nuk mund të përdoret si bazë për vazhdimin e paraburgimit.

Avokatët e Veliajt theksojnë gjithashtu se çdo pretendim për “konflikt institucional” është i pabazuar dhe se konflikti real është krijuar nga vetë prokuroria, e cila ka ndërhyrë për të mbrojtur një prokuror, mandati i të cilit është në shqyrtim gjyqësor. Në këtë kontekst përmendet edhe prokurori Olsi Dado, për të cilin mandati është në proces verifikimi në gjykatën administrative.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)