Një numër i lartë amendamentesh ka shoqëruar projekt-raportin e vitit 2025 për Shqipërinë në Parlamenti Europian. Aty janë reflektuar shqetësimet e eurodeputetëve për situatën politike dhe institucionale në vend. Plot 305 amendamente janë paraqitur nga grupe të ndryshme politike, ndërsa 26 prej tyre vijnë nga Partia Popullore Europiane.
Në fokus të diskutimeve është klima e tensionuar politike dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder si edhe disa eurodeputetë të tjerë, kanë ngritur shqetësimin për përplasjet e vazhdueshme politike dhe gjuhën konfrontuese. “Shpreh shqetësim për polarizimin politik të vazhdueshëm dhe diskursin konfrontues politik, që minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, theksonte Schieder.
Një tjetër çështje kyçe mbetet korrupsioni, i cili sipas eurodeputetëve vijon të jetë problem serioz. Në disa amendamente theksohet se pavarësisht përmirësimeve ligjore, nevojitet më shumë progres në hetimin dhe ndëshkimin e rasteve, sidomos në nivele të larta. Në të njëjtën kohë, eurodeputeti Ivaylo Valchev ka kritikuar vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë për shtyrjen e votimit lidhur me heqjen e imunitetit të Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë si një vendim të pajustifikuar dhe duke kërkuar trajtim të menjëhershëm të çështjes.
“Shpreh keqardhje për vendimin e kryetarit të Kuvendit për të shtyrë votimin parlamentar mbi heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ky vendim është arbitrar dhe pa bazë ligjore; i bëj thirrje Kuvendit që të trajtojë çështjen e heqjes së imunitetit të Zëvendëskryeministres Balluku pa vonesë”, citohej Valchev.
Ndërkohë, raporti vlerëson përparimin e Shqipërisë në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian, si dhe vijimin e Reformës në Drejtësi. Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister nënvizonte rëndësinë e procesit të vettingut dhe rolit të institucioneve si SPAK, por thekson se sfida mbetet në efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe nevoja për më shumë pavarësi dhe burime.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)