Katër automjete luksoze të dyshuara si të vjedhura në vende të ndryshme të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara janë sekuestruar në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Stolen Line”.
Sipas Policisë, automjetet, me një vlerë totale rreth 200 mijë euro, dyshohet se ishin trafikuar drejt Shqipërisë me qëllim shitjen në tregun vendas.
"Nga hetimet e kryera nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë proceduar penalisht dy shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë", informon policia.
Në hetim është marrë shtetasi me iniciale S. C., i dyshuar për trafikimin e një automjeti tip “Jeep”, i cili rezulton i vjedhur në Itali. Gjithashtu, procedim penal është nisur edhe ndaj shtetasit E. Ç., i dyshuar për trafikimin e një automjeti tip “Range Rover”, i raportuar i vjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit E. J. dhe R. R.. Sipas policisë, i pari dyshohet se ka trafikuar një automjet tip “BMW”, të vjedhur në Gjermani, ndërsa i dyti një automjet tip “Seat Cupra”, të vjedhur në Itali.
Të katër automjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)