Policia ka zbardhur detaje të reja nga operacioni “Kurtaj”, që çoi në zbulimin e një magazine me mijëra bimë kanabisi në njësinë administrative Gjocaj, të Peqinit, për të cilën ditën e djeshme u shpall në kërkim e më pas u vetëdorëzuar drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.
Hasa u la i lirë mëngjesin e sotëm, pasi ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetin e paligjshëm. duke deklaruar se ambientet administroheshin nga vëllai i tij, Romario Hasa, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në një hapësirë nëntokësore, autoritetet konstatuan 1105 vazo me bimë dhe fidanë të dyshuar kanabis, si dhe një sërë pajisjesh elektrike të përdorura për kultivimin e tyre.
Policia sqaron se në kuadër të hetimeve është arrestuar faturisti i OSHEE-së, Erion Dekovelli, i cili akuzohet se nuk raportoi konsumin e lartë të energjisë elektrike. Ai ka deklaruar se kontratat i kishte lidhur me Romario Hasën.
“Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj dhe me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’. Në kërkim u shpall R. H., 30 vjeç, pronar i ambienteve ku u zbuluan bimët narkotike, i dyshuar për “Kultivimi i bimëve narkotike”; E. H., 24 vjeç, i afërm i tij, për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; E. M., 36 vjeç dhe D. E., 34 vjeç, të dy përgjegjës në OSHEE, për “Shpërdorim detyre’”, njofton policia.
Në lidhje me përfshirjen e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, autoritetet sqaruan se ai është paraqitur vetë pranë strukturave të policisë dhe, pas verifikimeve, është lënë i lirë, pasi nuk rezulton i implikuar në këtë aktivitet. Sipas hetimeve, ambientet ku u zhvillua veprimtaria i përkasin dhe administrohen nga vëllai i tij, Romario hasa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)