Opozita kërkon komision hetimor për ARRSH dhe AKSHI, mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot në orën 11.30 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike për krijimin e një komisioni hetimor për AKSHI-n. Gjithashtu pjesë e rendit të ditës së Konferencës së Kryetarëve është edhe ajo e Partisë së Lirisë për ngritjen e një komisioni hetimor për rrugët.

07.04.2026. 07:35

Opozita kërkon komision hetimor për ARRSH dhe AKSHI, mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot në orën 11.30 për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike për krijimin e një komisioni hetimor për AKSHI-n. 

Gjithashtu pjesë e rendit të ditës së Konferencës së Kryetarëve është edhe ajo e Partisë së Lirisë për ngritjen e një komisioni hetimor për rrugët. 

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën zyrtare për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe synon kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të AKSHI-t, vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.Deputetët demokratë argumentojnë se AKSHI administron infrastrukturën më kritike digjitale të vendit, përfshirë platformën e-Albania dhe të dhënat personale të qytetarëve, ndaj funksionimi i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

Në kërkesë përmenden edhe zhvillimet e fundit hetimore nga SPAK, ku janë ngritur akuza për një skemë të dyshuar kriminale që lidhet me tenderat e AKSHI-t, si dhe raste të mëparshme të rrjedhjes së të dhënave dhe sulmeve kibernetike që kanë prekur sistemet shtetërore.

Sipas opozitës, këto ngjarje ngrenë dyshime serioze për keqmenaxhim, mungesë kontrolli institucional dhe rrezik të mundshëm për sigurinë digjitale të vendit.

Komisioni Hetimor i propozuar do të ketë për objekt verifikimin e procedurave të prokurimit të AKSHI-t për periudhën 2014–2026, analizimin e aksesit të kompanive private në sistemet shtetërore, hetimin e rrjedhjeve të të dhënave dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.

Pesë ditë më parë edhe Partia e Lirisë kërkoi zyrtarisht pas dëmtimeve të rrugës Librazhd- Prrenjas hetim për ARRSH-në. 

Kërkesat konsistojnë në ngritjen e një komisioni hetimor që kontrollon ligjshmërinë e veprimeve të institucioneve, ARRSH, standardeve të ndërtimit etj. Komisioni duhet të ketë 9 anëtarë ku kryetari dhe 3 anëtarë t’i përkasin opozitës dhe 5 mazhorancës, ndërsa miratimi duhet të ndodhë në seancën plenare më të afërt.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)