“Je me ne, ose përballë nesh”, debate në Grupin e PS, Rama e paralajmëron Spiropalin për përjashtim

Sipas burimeve nga mbledhja, Rama i ka tërhequr vëmendjen Spiropalit për qëndrimet e saj të fundit, duke ia kujtuar mungesën në votimin për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, si edhe kritikat publike të bëra prej saj në rrjetet sociale ndaj maxhorancës.

27.04.2026. 16:17

“Je me ne, ose përballë nesh”, debate në Grupin e PS, Rama e paralajmëron Spiropalin për përjashtim

Mbledhja katër orëshe e kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe Grupin Parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave nuk ka qenë “shend e verë”. Përveç porosive të shefit të qeverisë për socialistët, ka pasur edhe një përplasje direkte mes tij dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali.

Klima e tensionit që mbizotëronte prej më shumë se një muaji në kampin rozë, e karakterizuar nga postime të ashpra kundër linjës së partisë nga Spiropali në Façebook, duket se kanë shtyrë Ramën drejt një debati të fortë me deputeten socialiste.

Sipas burimeve nga mbledhja, Rama i ka tërhequr vëmendjen Spiropalit për qëndrimet e saj të fundit, duke ia kujtuar mungesën në votimin për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, si edhe kritikat publike të bëra prej saj në rrjetet sociale ndaj maxhorancës.

Madje kryesocialisti ka shkuar edhe më tej, duke i thënë Spiropalit se nëse situata përsëritet edhe njëherë, ajo do të përjashtohet nga Grupi i PS.

“Tek puna e partisë nuk mund të bëni drama dhe për këtë po të drejtohem ty Elisa. Nuk dua të krijoni situata në parti. Partia ka dy ngjyra, bardhë e zi. Ose bardhë dhe me ne, ose zi dhe përballë nesh. Herën e parë nuk erdhe në votim. Herën e dytë bërë çarçafin dhe herë të tretë nuk ka, përndryshe del jashtë këtij grupi”, mësohet të ketë deklaruar Rama.

Burimet po ashtu bëjnë me dije se Spiropali ka tentuar të japë shpjegimet e saj dhe të kërkojë të drejtën e replikës, por kjo nuk është marrë në konsideratë nga kryeministri.

“Po replikoj unë për ato që ke shkruar ti”, raportohet të ketë thënë Rama, duke mos i dhënë hapësirë diskutimi ish-ministres.

“Je akoma këtu, sepse nuk dua që PS të humbasë investimin që ka bërë, por merr frymë thellë dhe kupto atë që ke bërë”, ka shtuar ai.

Më tej, kreu i socialistëve ka theksuar se prezenca dhe angazhimi i deputetëve me qytetarët duhet të jetë më i madh, ndërsa u ka kërkuar anëtarëve të grupit më shumë kujdes në qëndrimet publike dhe disiplinë politike. Në përfundim të mbledhjes, Rama dhe Spiropali kanë zhvilluar një bisedë të shkurtër veçmas.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)