Berisha: Rama ka marrë pushtet absolut, protesta e 8 majit kundër “narkoregjimit”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ka përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij dhe se po vepron kundër interesave të qytetarëve.

27.04.2026. 18:52

Berisha: Rama ka marrë pushtet absolut, protesta e 8 majit kundër “narkoregjimit”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ka përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij dhe se po vepron kundër interesave të qytetarëve. Deklaratat u bënë gjatë një takimi me drejtuesit politikë të PD në qarqe, ku në fokus ishte edhe organizimi i protestës së paralajmëruar më 8 maj.

Berisha u ndal veçanërisht te mbrojtja që, sipas tij, Rama i ka bërë Belinda Balluku në Kuvend, duke theksuar se kjo ka dëshmuar një kontroll të plotë të pushteteve nga ana e kryeministrit.

Sipas tij, vendimet e marra në lidhje me këtë çështje e kanë kthyer Ramën në “njeriun me pushtet absolut në Shqipëri”, ndërsa shtoi se ai është i gatshëm të marrë çdo vendim për të mbrojtur veten dhe rrethin e tij.

Berisha deklaroi se protesta e 8 majit do të jetë kundër asaj që ai e cilësoi si “farsë elektorale” dhe kundër vjedhjes së votës dhe korrupsionit. Ai u bëri thirrje strukturave të PD-së që të angazhohen maksimalisht për këtë mobilizim.

Në fjalën e tij, kreu demokrat akuzoi qeverinë se është shndërruar në një strukturë të lidhur me krimin, duke përdorur akuza të forta politike ndaj kundërshtarëve.

Ai theksoi se, sipas tij, vendi ndodhet në një situatë të rrezikshme politike, ndërsa nënvizoi se opozita do të vijojë betejën për të kundërshtuar atë që e quan kapje totale të shtetit.

Takimi me drejtuesit e qarqeve u fokusua në organizimin e strukturave dhe strategjinë për protestën e ardhshme, e cila pritet të jetë një nga aksionet kryesore të opozitës në javët në vijim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)