“Rekord historik”, Balla: Shqipëria përpara Serbisë në negociatat me BE

Kreu i grupit të PS, Balla deklaroi se Shqipëria ka ecur me ritme të shpejta në procesin e integrimit evropian, duke lënë pas dhe Serbinë.

04.05.2026. 17:21

“Rekord historik”, Balla: Shqipëria përpara Serbisë në negociatat me BE

Gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke lënë pas Serbinë e cila i ka nisur negociatat prej vitit 2014.

“Është fakt që Shqipëria i ka hapur negociatat shumë më vonë se Mali i Zi. Mali i Zi në qershor të 2012, Serbia në janar të 2014, nuk po i hyj arsyeve pse, por është fakt sot dhe duhet të na bëjë krenar si shqiptarë, se Shqipëria jonë e përbashkët e të majtëve dhe të djathtëve, e socialistëve dhe demokratëve, është shumë përpara Serbisë. Për të gjithë ata ndër ne, secili ndër ne të paktën në muajt e fundit ka shkelur në Bruksel. Sot, flitet për nga rajoni jonë për dy vende pararojë, Mali i Zi dhe Shqipëria”, tha Balla.

Balla theksoi se vendi ka arritur një rekord historik në hapjen e kapitujve të negociatave, duke përfituar edhe nga metodologjia e re e Bashkimit Europian.

“Shqipëria është sot në një metodologji të re. Nuk ka ekzistuar kjo metodologji për Serbinë dhe Malin e Zi. Janë identifikuar 92 hendeqe, të cilat po sheshohen për të shtruar autostradën e anëtarësimit në BE të vendit tonë”, shtoi ai.

Balla nënvizoi se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë progres është Reforma në Drejtësi, duke reaguar kështu edhe ndaj kritikave të opozitës.

“Është fakt për të cilin të gjithë jemi krenarë, ju nuk jeni, në kapitujt 23-24 element thelbësor përbën Reforma në Drejtësi. Nëse Shqipëria sot konsiderohet vend pararojë në BE, është Reforma në Drejtësi. Rrugës për ju, dëgjova udhëheqësin tuaj se Reforma në Drejtësi është dëm për Shqipërinë. Atëherë këtu ndahen rrugët tona. Ju e shikoni Reformën në Drejtësi nga halli juaj, ne e shohim për anëtarësimin në BE. Ne e kemi këtë avantazh me Serbinë dhe do ta ruajmë”, përfundoi Balla.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)