Aksidenti me dy fëmijë të vdekur në Durrës, Braçe kërkon ndryshimin e Kodit Penal: Ishte vrasje!

Pak orë pasi përmes një postimi në Facebook e kishte cilësuar ngjarjen si jo aksidentale, por vrasje, Braçe kërkoi në Parlament ndryshime ligjore në Kodin Penal, në mënyrë që drejtues automjetesh që shkaktojnë aksidente të tilla fatale të marrin dënime më të ashpra.

04.05.2026. 17:51

Aksidenti me dy fëmijë të vdekur në Durrës, Braçe kërkon ndryshimin e Kodit Penal: Ishte vrasje!

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist Erion Braçe trajtoi ngjarjen tragjike të Durrësit ku dy fëmijë të moshave 10 dhe 12 vjeç u përplasën për vdekje nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Pak orë pasi përmes një postimi në Facebook e kishte cilësuar ngjarjen si jo aksidentale, por vrasje, Braçe kërkoi në Parlament ndryshime ligjore në Kodin Penal, në mënyrë që drejtues automjetesh që shkaktojnë aksidente të tilla fatale të marrin dënime më të ashpra.

“Unë u çova për tjetër hall, dy familje përcollën sot pa shpirtin e tyre. Kush ka fëmijë e di mirë. Një i tretë ka një traumë të rëndë emocionale dhe mendore. E gjitha pasojë e një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua dhe asnjëherë aksident apo shkelje të rregullave. Është një ngjarje e përsëritur. Dje kam publikuar një video ashtu siç ishte, për të refuzuar normalizimin e një krimi të tillë. Kodi penal e normalizon një krim të tillë.

Një i pirë, jo thjesht i dehur, për më keq pastaj që nget një makinë në rrugë, ndonjëherë shoqërohet dhe dërgohet në paraburgim. Pastaj lirohet pas 2 ditësh dhe procedohet në gjendje të lirë. Morali është që ti mund të pish, të dehesh, të ngasësh makinën, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente. Dhe në rast se ke para, paguan dyfishin e gjobës dhe nuk të pezullohet patenta.

E bën një herë, dy herë, mund të shkosh deri në 18 muaj ndalim patente. I hiqen vetëm 10 pikë në patentë. Ndërkohë ai po hetohet për shkelje rregullash, largim nga vendi i aksidentit. Është profili i një të forti që dehet dhe vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, është vrasje. Nëse ne duam të bëjmë diçka, është që të riformulojmë Kodin Penal, aktet si vrasje me dashje”, tha Braçe.

Referuar kritikave që mori pas publikimit të pamjeve bruto të aksidentit në Facebook, deputeti socialist u mbrojt duke thënë se donte që njerëzit ta shihnin ngjarjen “ashtu siç ndodhi, thellësisht reale, me një arsye që është refuzimin për ta normalizuar një krim të tillë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)