Aksidenti tragjik në Durrës, policia jep detaje: Autori nën efektin e alkoolit, i ishte pezulluar dy herë patenta

Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje mbi aksidentin tragjik të ndodhur të dielën në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë.

04.05.2026. 09:18

Aksidenti tragjik në Durrës, policia jep detaje: Autori nën efektin e alkoolit, i ishte pezulluar dy herë patenta

Policia ka dhënë detaje të reja në lidhje mbi aksidentin tragjik të ndodhur të dielën në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë.

Aksidenti ndodhi më 3 maj, rreth orës 14:20, në rrugën “Ohri”, në lagjen nr. 15, ku tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç po luanin në trotuar. Një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, i drejtuar nga shtetasi Nikoll Radaçi, 57 vjeç, doli nga rruga dhe i përplasi me shpejtësi të lartë. Si pasojë, humbën jetën në vend dy të miturit, Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, ndërsa fëmija tjetër, 8 vjeç, mbeti i plagosur.

Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, 8-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të transferohet në pavijon, ndërsa do të vijojë trajtimin nën kujdesin e mjekëve. Nga aksidenti mbetën të lënduar edhe dy të rritur, një 25-vjeçare dhe një 30-vjeçar, që ndodheshin pranë fëmijëve në momentin e përplasjes.

Policia bëri të ditur se drejtuesi i mjetit u largua fillimisht nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por u ndalua më pas nga patrullat. Testi i alkoolit konfirmoi se ai ishte në gjendje të dehur, me nivele 0.73 mg/l dhe 0.70 mg/l, ndërsa i është marrë edhe kampion gjaku për analiza të mëtejshme.

Nga verifikimet rezulton se 57-vjeçari ishte ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave rrugore, përfshirë parakalim të gabuar dhe tejkalim shpejtësie, ndërsa në vitin 2022 i ishte pezulluar dy herë leja e drejtimit.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e dy personave, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)