Familja e autorit largohet nga Durrësi, frikë për hakmarrje pas aksidentit me dy fëmijë të vdekur

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr.5, në zonën e ish-Kënetës, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi, duke drejtuar automjetin me shpejtësi dhe nën efektin e alkoolit, përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar. Për pasojë, dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën.

04.05.2026. 13:25

Familja e autorit largohet nga Durrësi, frikë për hakmarrje pas aksidentit me dy fëmijë të vdekur

Sot i është dhënë lamtumira e fundit dy fëmijëve të mitur që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë të ndodhur mesditën e djeshme në Durrës. Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë familjarë, të afërm, banorë të zonës, si dhe përfaqësues të institucioneve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr.5, në zonën e ish-Kënetës, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi, duke drejtuar automjetin me shpejtësi dhe nën efektin e alkoolit, përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar. Për pasojë, dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën, ndërsa një tjetër, 8 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Pas ngjarjes, familja e autorit është larguar nga lagjja, nga frika e hakmarrjes, ndërsa banorët shprehen të tronditur dhe kërkojnë drejtësi.

Dëshmitë nga vendi i ngjarjes janë rrëqethëse. Një banore tregon për momentet dramatike që po kalon familja e viktimave.

“Ishin në fshatin tonë, ishin një familje ideale që shihnin vetëm punën e tyre. Por ishin të varfër. Ngjarjen e kanë parë nga televizori, mamaja kishte shkuar në Itali të vizitonte bashkëshortin që ishte sëmurë. Kanë parë ngjarjen nga kamerat, mamaja vetëm bërtet: ‘Ma vranë djalin në derë të shtëpisë’. Babai është shumë i sëmurë, me sëmundje të keqe, me zor flet. Kjo ngjarje që ka ndodhur na ka prekur të gjithë, jo vetëm ata. Një gjë të tillë nuk ia uron as armikut”, tha ajo për mediat.

E revoltuar, një tjetër banore shprehet me tone të forta për atë që ndodhi. “Të digjet! Ta marrë vesh dynjaja. I kam të mitë. Jo vetëm unë, por e gjithë Shqipëria po e përjeton!”, tha ajo.

Banorët theksojnë se autori kishte shfaqur më herët sjellje problematike në drejtimin e automjetit, duke konfirmuar edhe raportin e policisë për të si shofer.

“Jemi të tramaksur. Ishte si në filma. Ishim pa gjumë tërë natën, fëmijët janë të tmerruar. Jemi pa fjalë. Shteti të marrë masa. Nuk kemi fjalë. Nuk ishte hera e parë për atë person. Ka qenë problematik. Kur ishte i pirë s’dinte se çfarë bënte”, tha një prej tyre.

Ndërkohë, një tjetër banor ngre akuza për mungesë reagimi nga institucionet.

“Njëra familje kishte të atin në Itali, të sëmurë. Erdhi mbrëmë. Jemi të tronditur si lagje. Është dhe për faj të shtetit. Ishte njoftuar shteti për këtë rast. Tragjedi! Jemi të tronditur, jemi të lënduar të gjithë shpirtërisht”, u shpreh ai.

Familjarët e të miturve shprehen të shokuar, ndërsa ankthi vijon për fëmijën tjetër të plagosur.

“U ka dhembur shpirti dhe atyre që nuk e njihnin. Jemi pa fjalë. Dhimbja është e madhe. E gjithë familja është e prekur, e shokuar. Me zemër të ngrirë pasi djali tjetër është në spital.”

Në ceremoninë mortore ishte e pranishme edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu, e cila në një prononcim të shkurtër për mediat kërkoi që “të respektojmë dhimbjen”. “Patjetër që do të merren të gjitha masat”, deklaroi ajo.

Ndërsa në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu tha: “Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre. Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)