Gara për kreun e PD përfundon në gjykatë, Mereme Sela ngre padi pas përjashtimit: U shkel statuti, pezulloni procesin

Sipas padisë, Sela pretendon se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me statutin e PD. Ajo argumenton se vendimi është marrë pa transparencë dhe pa një arsyetim të plotë ligjor.

04.05.2026. 13:38

Gara për kreun e PD përfundon në gjykatë, Mereme Sela ngre padi pas përjashtimit: U shkel statuti, pezulloni procesin

Gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, e planifikuar për t’u zhvilluar më 23 maj, ka përfunduar në dyert e gjykatës. Kandidatja e përjashtuar nga gara, Mereme Sela, ka paditur partinë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, duke kundërshtuar vendimin për skualifikimin e saj.

Sipas padisë, Sela pretendon se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me statutin e PD. Ajo argumenton se vendimi është marrë pa transparencë dhe pa një arsyetim të plotë ligjor.

“Përjashtimi është bërë në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të mia statutore dhe parimit të barazisë në konkurrim”, nënvizon ajo.

Padia vjen vetëm tre ditë pasi Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale vendosi të mos pranojë kandidaturën e saj, me argumentin se nuk përmbush kriteret e kërkuara, konkretisht mungesën e një profili të lartë publik dhe eksperiencës drejtuese elektorale.

Në të njëjtën kohë, Sela ngre akuza edhe për lejimin e kandidimit të Sali Berishës, duke pretenduar se ky vendim bie ndesh me statutin e partisë.

“Organet e partisë kanë lejuar kandidimin e Sali Berishës, në kundërshtim flagrant me ndalimin e parashikuar në statut, pasi neni 46 (‘neni Basha’) sanksionon se kryetari që humb zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i partisë”, thuhet në padi.

Më herët, vetë Sali Berisha kishte komentuar garën, duke deklaruar se ajo do të bëhej “qesharake” nëse do të përfshinte kandidatë si Sela.

Në padinë e dorëzuar, kandidatja paraqet pesë kërkesa kryesore si shpallja e pavlefshme e vendimit për skualifikimin e saj nga gara, rikthimi i saj në procesin zgjedhor, shpallja e pavlefshme e kandidimit të Sali Berishës, konstatimin e shkeljeve të rënda të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme dhe pezullimin e menjëhershëm të procesit zgjedhor të 23 majit deri në përfundim të gjykimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)