Kryeministri Edi Rama zgjodhi Elbasanin dhe një takim me të rinj të teknologjisë për të dhënë mesazhe politike ndaj kundërshtarit të tij, Sali Berisha, i cili në të njëjtën kohë nisi marshimin drejt Kryeministrisë në protestën e radhës kombëtare.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e rikonstruktuara të shkollës “Onufri”, Rama prezantoi zgjerimin e financimeve për programin “Startup Albania”, ndërsa nuk kurseu ironitë për mënyrën se si, sipas tij, opozita reagon pas humbjeve elektorale.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se shqiptarët, sidomos burrat, e kanë të vështirë të pranojnë humbjen dhe shpesh kërkojnë justifikime në vend të reflektimit.
“Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është ai që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin se i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë i ka marrë atë që u takonte, se këtu nuk u jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para dhe se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi, etj, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës”, u shpreh Rama, në atë që u pa si thumb drejt rivalit të tij në opozitë.
Kreu i ekzekutivit shtoi se, sipas tij, “humbësit e mirë” janë ata që reflektojnë dhe përpiqen të përmirësohen.
“Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes dhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh duke fantazuar, ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar ndeshjen e ardhshme. Kjo botë është e ëndërrimtarëve që guxojnë”, deklaroi kryeministri.
Në të njëjtin aktivitet, kreu i qeverisë njoftoi rritjen e mbështetjes financiare për programin “Startup Albania”, pas shtimit të ndjeshëm të aplikimeve nga të rinjtë.
“Shifrat janë domethënëse. Trefishimi i numrit të aplikantëve për programin Startup Albania që ka nisur disa vite më parë dhe tani është i besueshëm. Falë besueshmërisë dhe informacionit, ky program ka tërhequr një interesim të madh dhe një numër rekord aplikimesh prej 1219 aplikimesh për mbështetje financiare që shkon nga 15,000 deri në 45,000 euro dhe për projekte konsolidimi deri në 90,000 euro, që nuk janë kredi, por grant që qeveria shqiptare ia vë në dispozicion atyre që kanë ide dhe potencial”, tha Rama.
Sipas tij, qeveria do të zgjerojë fondin për të përfshirë më shumë aplikantë sesa ishte planifikuar fillimisht.
“Duke u gjendur përballë 1219 aplikantëve do të duhet që t’u japim një mesazh të gjithë atyre që kanë aplikuar, që ne nuk do të kufizohemi tek numri i fituesve të parashikuar sipas shifrave të 2 viteve të kaluara, por do bëjmë një financim ekstra në javët që vijnë”, u shpreh shefi i qeverisë.
Rama vlerësoi edhe potencialin që teknologjia po u jep të rinjve shqiptarë për të punuar nga vendi i tyre për kompani ndërkombëtare.
“Ne sot mund ta themi lirisht atë që deri jo shumë kohë më parë ishte për të qeshur, që cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre kudo qoftë ajo në Tiranë, në Elbasan apo në një fshat të largët, mjafton që të kenë një kompjuter dhe që të jenë të lidhur me internetin”, deklaroi kryeministri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)