Policia ndalon “kilometrin e fundit”, luftë me molotov e ujë, shiu tkurr protestën e PD

Ka zgjatur për rreth 2 orë protesta e radhës e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë. Përplasjet mes protestuesve dhe policisë dhe bombat molotov, nuk munguan, me forcat blu që zbatuan deri në fund planin e tyre për të mos lejuar marshimin në rrugët e kryeqytetit.

08.05.2026. 21:41

Policia ndalon “kilometrin e fundit”, luftë me molotov e ujë, shiu tkurr protestën e PD

Nuk kanë munguar incidentet e dhunshme edhe në protestën e 8-të të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar në sheshin përpara Kryeministrisë, për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Protesta nisi me pjesëmarrje të ulët, kjo edhe për shkak të reshjeve të shiut, dhe pa foltore, me pjesëmarrësit që qëndruan për më shumë se 30 minuta të grumbulluar përpara kryeministrisë duke dëgjuar një folës të “padukshëm” që bënte thirrje kundër qeverisë dhe kreut të saj Edi Rama.

E teksa vijimi i saj parashikonte një marshim drejt Ministrisë së Brendshme, policia nuk ishte në një mendje me organizatorët.

Pak metra nga Kryeministria, kordoni i uniformave blu nuk i lejoi pjesëmarrësit që të kalonin, me pretendimin se leja nuk është marrë për marshim, por për protestë përpara kryeministrisë.

Këtu shpërtheu dhe dhuna mes palëve, me deputetët e opozitës që tentuan të çajnë rrethimin, teksa uji me presion shpërtheu menjëherë mbi kokat e tyre nga një autobot që qëndronte mbas trupave të FNSH.

As molotovët e hedhur nuk e ndryshuan situatën, me policinë që kishte marrë masa të forta sigurie, për të zbatuar planin e saj për mbarëvajten e protestës.

Ndryshe nga herët e tjera, Sali Berisha qëndroi deri në fund të protestës, ku disa herë topi me presion i policisë e shënjestroi duke e lagur, pavarësisht tentativës së badigardëve për ta mbrojtur me trupin e tyre.

Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Policinë e Shtetit për kryerjen e një krimi, pasi e ndalën marshimin e protestuesve përmes hedhjes së ujit dhe një kordoni të ngritur pranë Ministrisë së Brendshme.

“Do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot. Edi Balluku dhe Lubi Rama vend nuk kanë para ligjit”, u shpreh Berisha.

I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës në këtë tubim që nisi i qetë dhe u mbyll në një përplasje fizike me efektivët, Berisha tha se opozita do t’i përdorë të gjitha format përballë regjimit.

Kreu i PD po ashtu hodhi akuza në drejtim të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e etiketuar me mbiemrin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të mbështetur pretendimet e tij se urdhërohet prej saj.

“Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin. Ne do përgatitemi për të gjitha format dhe ju garantoj që e kanë të humbur. Turp që mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Lubi Balluku. Dhe këtë e bën një mercenar. Do jua tregojmë ne ju fytyrën e Skënder Ballukut. Cili është Skënder Balluku”, tha Berisha teksa tërhiqte turmën e protestuesve drejt Rrugës së Elbasanit.

Duhet theksuar se reagimi i Policisë ishte disi më i fortë sa duhej përballë kësaj proteste, e cila ishte tkurrur ndjeshëm në numra, kjo edhe për shkak të reshjeve të dendura të shiut që shoqëruan tubimin.

21:55 Tensionet në tubimin e PD-së, policia shoqëron 3 protestues

Tre protestues janë shoqëruar nga policia pas incidenteve të regjistruara mbrëmjen e sotme gjatë protestës së opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tensionet nisën në momentin kur protestuesit tentuan të marshonin drejt Ministrisë së Brendshme, por u përballën me kordonin e forcave të policisë, i cili bllokoi avancimin e tyre.

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike u zhvillua fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas protestuesit marshuan për tu zhvendosur drejt Ministrisë së Brendshme, por u ndalën nga kordoni policor.Gjatë përplasjes u shënuan disa akte dhune, ku ndaj efektivëve të policisë u hodhën gurë, fishekzjarrë dhe mjete ndezëse molotov. Në përgjigje të situatës së krijuar, policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës me autobotin ujëhedhës.

21:33 Berisha tërheq protestuesit, akuza drejtorit të policisë: Mercenar, sot bëre krim me urdhër të Ramës e Ballukut

Kryedemokrati Sali Berisha nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” foli për mediat gjatë protestës së opozitës, duke akuzuar Policinë e Shtetit për kryerjen e një krimi, pasi e ndalën marshimin e protestuesve përmes hedhjes së ujit dhe një kordoni të ngritur pranë Ministrisë së Brendshme.

“Do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot. Edi Balluku dhe Lubi Rama vend nuk kanë para ligjit”, u shpreh Berisha

I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës në këtë tubim që nisi i qetë dhe u mbyll në një përplasje fizike me efektivët, Berisha tha se opozita do ti përdorë të gjitha format përballë regjimit.

Kreu i PD po ashtu hodhi akuza në drejtim të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e etiketuar me mbiemrin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të mbështetur pretendimet e tij se urdhërohet prej saj.

“Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin. Ne do përgatitemi për të gjitha format dhe ju garantoj që e kanë të humbur. Turp që mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Lubi Balluku. Dhe këtë e bën një mercenar. Do jua tregojmë ne ju fytyrën e Skënder Ballukut. Cili është Skënder Balluku”, tha Berisha teksa tërhiqte turmën e protestuesve drejt Rrugës së Elbasanit.

21: 09 “Kujdes se do të zbulohet fytyra një ditë”, deputeti Nallbati përplaset me FNSH

Përplasje e ashpër verbale mes deputetit të Partisë Demokratike, Bledion Nallbati dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në kordonin e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Nallbati i ka kërkuar efektivit që të mos ushtrojë dhunë dhe të mos hedh spray me piper.

“Kujdes se do të zbulohet fytyra një ditë”, dëgjohet të thotë Nallbati.

Ndërkohë që policia nuk lejon për asnjë moment mbështetësit e opozitës të largohen nga sheshi para Kryeministrisë për të mbajtur një marshim në rrugët e kryeqytetit.

Ky moment ka sjell dhe përplasje mes deputetëve të PD, mbështetësve të tyre dhe policisë.

20:58 Protestuesit tentojnë sërish të çajnë kordonin, Berisha sulmohet me ujë me presion

Një tjetër tentativë e protestuesve të opozitës për të çarë kordonin e policisë ka hasur në reagimin e këtyre të fundit me ujë me presion.

Mes protestuesve ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbi të cilin u hodh ujë me presion.

20:45 Berisha me maskë kundragaz, Bardhi akuza policisë: Pse po i provokoni protestuesit?

Foto: Youtube/Partia Demokratike

Pas marshimit të protestuesve të opozitës drejt Ministrisë së Brendshme, situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u tensionua, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Forcat e rendit krijuan një kordon sigurie përpara institucionit, duke penguar protestuesit që të afroheshin më tej. Mes protestuesve ndodhej edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili u pa i pajisur me maskë kundragaz, ndërsa mbështetësit demokratë u përballën me ndërhyrjen e policisë dhe autobotin me ujë me presion.

Gjatë tensioneve, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pati një debat të ashpër me efektivët e policisë, duke i akuzuar se po provokonin një protestë paqësore.

Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama. Po në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore? Në cilin vend të botës pengohet protesta? Si zbatoni urdhra të paligjshëm ju? Si pengoni një protestë në mënyrë të paligjshme? Nga kush i merrni urdhrat ju? A ishte protesta paqësore? Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën? A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm?”, deklaroi Bardhi gjatë përplasjes me uniformat blu.

Ai shtoi se policia duhet të arrestojë zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo qytetarët që protestojnë.

Shkoni arrestoni Belinda Balluku dhe Edi Rama që kanë vjedhur shqiptarët”, u shpreh Bardhi para protestuesve.

20:39 Policia hedh ujë drejt protestuesve, shpërthejnë molotovët

Policia e Shtetit ka hedhur ujë më presion ndaj protestuesve të opozitës të cilët nisën një marshim nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Brendshme.

Ky provokim ka shkaktuar dhe reagimin e protestuesve të cilët hodhën bomba molotov, të cilat ishin të pakta në numër krahasuar me protestat e mëparshme.

Foto: Youtube/PD

Policia kishte bërë me dije se nuk do të lejonte asnjë marshim në rrugët e kryeqytetit pasi leja ishte vetëm për sheshin para kryeministrisë.

Incidenti u pasua dhe me hedhjen e gazit  lotsjellës, teksa duhet thënë se masat e policisë këtë herë ishin në disporpocion, thënë kjo edhe për shkak të numrit të ulët të protestuesve në këtë marshim.

20:35 'Paqe' te Kryeministria, protestuesit e PD marshojnë drejt Ministrisë së Brendshme

Foto: Youtube/PD

Protesta e opozitës para Kryeministrisë u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa një orë pas nisjes së tubimit, mbështetësit e PD-së, të drejtuar nga kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetët opozitarë marshuan drejt Ministrisë së Brendshme.

Para se të mbërrinin pranë godinës së ministrisë, policia e ndërpreu marshimin e protestuesve duke ngritur një kordon sigurie, të përbërë nga efektivë të shumtë.

Rrethimi me kordon shënoi pikën e vlimit në tubim, pasi disa protestues hodhën molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës dhe autobotin ujëhedhës.

Thirrjes së opozitës për protestë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama i është bashkuar këtë here një numër më i ulët pjesëmarrësish krahasuar me tetë protestat e mëparshme të organizuara nga PD.

Ndryshe nga tubimet e kaluara, protesta para godinës së Kryeministrisë u karakterizua nga qetësia dhe mungesa e tensioneve apo incidenteve.

Gjatë tubimit u mbajt edhe një minutë heshtje në kujtim të dy të miturve, 12 dhe 10 vjeç, që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur më 3 maj në Durrës.

Sali Berisha këtë herë nuk mbajti fjalim para mbështetësve, por qëndroi mes turmës gjatë gjithë aktivitetit dhe kamerat e fokusuan disa herë teksa ndiqte zhvillimet, duke parë herë telefonin dhe herë orën e dorës.

19:53 Mbështetësit e PD me në krye Sali Berishën qëndrojnë në shesh para Kryeministrisë

Sali Berisha dhe mbështetësit e tij po qëndrojnë përpara Selisë së Kryeministrisë teksa një folës po bën tentativa për të nxitur pjesëmarrësit me thirrje kundër qeverisë. Ai mes të tjerash rendit dhe ato që opozita quan si aferat korruptive të qeverisë.

19:40 Nis me vonesë protesta e opozitës, Berisha iu bashkohet protestuesve

Ka nisur me më shumë se 40 minuta vonesë protesta e radhës e opozitës dhe mbështetësve të saj përpara Kryeministrisë. Sali Berisha ka realizuar marshimin e tij të zakonshëm nga selia e PD drejt bulevardit i shoqëruar nga deputetë dhe militantë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)