Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi nga selia blu pas përfundimit të protestës kombëtare të opozitës, duke falënderuar mbështetësit që morën pjesë në tubim pavarësisht motit të keq dhe tensioneve të krijuara gjatë marshimit.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për bllokimin e protestës paqësore, ndërsa deklaroi se opozita do të vazhdojë betejën kundër regjimit.
Ai deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet deri në largimin e qeverisë aktuale nga pushteti, ndërsa sulmoi edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Mirënjohje për të gjithë ju që sot në këtë shiu në këtë ditë jo të lehtë latë çdo gjë dhe dolët në shesh për t’u përballur me të keqen më të madhe të shqiptarëve, me regjimin e Ramës, Lubisë dhe Lindave të tij. Sot regjimi dëshmoi fytyrën e vërtetë, bllokoi marshimi paqësor tonin. E garantoj se do të ketë përgjegjësitë që meriton.
Nuk ka polici që mund të mundë një popull kryengritës. Jemi në këtë betejë me moton e hershme “Ja të vdesim ja të rrojmë për liri”. Asgjë në botë nuk mund të na imponojë të pranojmë pushtetin e hajdutëve, e Lubisë së shqiptarëve. Beteja jonë është betejë për çdo qytetar. Beteja jonë është betejë për dinjitet, për të ardhmen, është kryengritje kundër regjimit më të keq, mafies më të rrezikshme.
Asgjë nuk na mposht ne pa nisur në burg Lubi Ballukun aty ku e ka vendin. Pa larguar nga pushteti kriminelin Edi Rama, që i ka dhënë pushtetit të sotëm moralin e etërve xhelatë. Asgjë nuk ju dekurajoi, as terrori e as moti. Edi Rama dije mirë se të ardhme nuk ke, fundi yt është pranë”, tha Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)