Protesta e opozitës para Kryeministrisë u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa një orë pas nisjes së tubimit, mbështetësit e PD-së, të drejtuar nga kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetët opozitarë marshuan drejt Ministrisë së Brendshme.
Para se të mbërrinin pranë godinës së ministrisë, policia e ndërpreu marshimin e protestuesve duke ngritur një kordon sigurie, të përbërë nga efektivë të shumtë.
Rrethimi me kordon shënoi pikën e vlimit në tubim, pasi disa protestues hodhën molotovë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës dhe autobotin ujëhedhës.
Thirrjes së opozitës për protestë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama i është bashkuar këtë here një numër më i ulët pjesëmarrësish krahasuar me tetë protestat e mëparshme të organizuara nga PD.
Ndryshe nga tubimet e kaluara, protesta para godinës së Kryeministrisë u karakterizua nga qetësia dhe mungesa e tensioneve apo incidenteve.
Gjatë tubimit u mbajt edhe një minutë heshtje në kujtim të dy të miturve, 12 dhe 10 vjeç, që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur më 3 maj në Durrës.
Sali Berisha këtë herë nuk mbajti fjalim para mbështetësve, por qëndroi mes turmës gjatë gjithë aktivitetit dhe kamerat e fokusuan disa herë teksa ndiqte zhvillimet, duke parë herë telefonin dhe herë orën e dorës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)